Egnatia mposhtet nga Shamrock Rovers, irlandezët ishin më të mirë në pjesën e dytë

Sport

Egnatia ka pësuar humbje me rezultat 3-1 si mysafir ndaj Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës, duke e komplikuar rrugën drejt “play-off-it”. Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një pjesë të parë të ekuilibruar, por u dorëzuan pas pushimit, kur skuadra irlandeze dominoi plotësisht dhe realizoi dy gola […]

Madhësia e shkronjave

Egnatia ka pësuar humbje me rezultat 3-1 si mysafir ndaj Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës, duke e komplikuar rrugën drejt “play-off-it”.

Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një pjesë të parë të ekuilibruar, por u dorëzuan pas pushimit, kur skuadra irlandeze dominoi plotësisht dhe realizoi dy gola të shpejtë.

Shamrok Rovers kaloi në epërsi në minutën e 29-të, kur Graham Burke u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi gjyqtari akordoi penallti për vendasit.

Egnatia reagoi dhe në minutën e 40-të arriti të barazonte pas ndërhyrjes së VAR-it. Fillimisht u akordua penallti për kampionët shqiptarë, ndërsa goditja e Guillem Jaime u ndal nga portieri. Megjithatë, në vazhdim të aksionit, Aaron Greene devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë Egnatias golin e barazimit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, Egnatia nuk arriti të ruante ritmin dhe u ndëshkua shpejt.

Në minutën e 55-të, Roberto Lopes realizoi për 2-1, në një gol që u shoqërua me protesta nga futbollistët e Egnatias, të cilët pretenduan për faull në aksion.

Vetëm dy minuta më vonë, pas një goditjeje nga këndi, Aaron Greene shënoi golin e tretë për Shamrok Rovers, duke vulosur rezultatin 3-1.

Pas golit të tretë, skuadra irlandeze krijoi edhe disa raste të tjera të pastra për të thelluar avantazhin.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme, ku kampionët e Shqipërisë do të synojnë të përmbysin disavantazhin prej dy golash për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit në fazën “play-off” të Ligës së Evropës. /Telegrafi/