Nuk e zëvendëson karrigen ergonomike, por kjo pozitë e thjeshtë mund të ndihmojë në lëvizshmëri, fleksibilitet dhe qëndrim më të mirë të trupit
Mënyra moderne e jetesës na detyron të kalojmë shumë orë ulur: pranë tavolinës së punës, para televizorit apo me telefon në dorë. Pikërisht për këtë arsye, ekspertët gjithnjë e më shumë po flasin për ndryshime të thjeshta në përditshmëri, të cilat mund t’i zbusin pasojat e qëndrimit të gjatë ulur.
Një nga këto alternativa është ulja e herëpashershme në dysheme. Edhe pse në fillim mund të duket e pazakontë, kjo pozitë kërkon më shumë aktivizim të muskujve sesa ulja klasike në karrige.
Ndryshe nga karrigia, ku trupi shpesh bie në një pozitë pasive, ulja në dysheme angazhon më shumë muskujt e trungut, shpinës dhe legenit. Për të ruajtur ekuilibrin dhe qëndrimin, trupi detyrohet të punojë më aktivisht.

Kjo mund të ndihmojë në përmirësimin e qëndrimit të trupit, rritjen e fleksibilitetit dhe forcimin e muskujve që stabilizojnë trungun. Me kalimin e kohës, te disa persona mund të ndihmojë edhe në uljen e shqetësimeve në qafë, shpatulla dhe pjesën e poshtme të shpinës.
Pozita me këmbë të kryqëzuara përmendet shpesh si një nga më të dobishmet, sepse ndihmon në një rreshtim më natyral të shtyllës kurrizore dhe zvogëlon prirjen për t’u kërrusur. Kur shtylla kurrizore qëndron më drejt, ngarkesa mbi muskuj dhe nyja shpërndahet më mirë, transmeton Telegrafi.
Ulja në dysheme kërkon gjithashtu lëvizshmëri të ijeve, gjunjëve dhe nyjave të këmbëve. Prandaj, praktika e rregullt mund të ndikojë gradualisht në rritjen e fleksibilitetit dhe amplitudës së lëvizjeve. Shumë njerëz, me kalimin e kohës, mund të ndiejnë më pak ngurtësim dhe më shumë kontroll në lëvizjet e përditshme.
Megjithatë, është e rëndësishme të fillohet ngadalë. Fillimisht mjaftojnë një deri në dy minuta në ditë. Pastaj, nëse trupi përshtatet mirë, koha mund të rritet gradualisht deri në 20 ose 30 minuta.
Duhet pasur kujdes edhe me pozitën. Ulja me njërën këmbë të futur nën trup, qëndrimi i shtrembër, shpina e rrumbullakosur ose mbështetja e gjatë në njërën anë mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë dhimbjet në shpinë, qafë dhe shpatulla.
Disa pozita, si ulja tradicionale japoneze “seiza”, me këmbët e përthyera nën trup, nuk janë të përshtatshme për të gjithë, sidomos për personat që kanë probleme me gjunjët, nyjat apo qarkullimin e gjakut në këmbë.
E rëndësishme është edhe sipërfaqja ku uleni. Dyshemeja shumë e fortë mund të jetë e parehatshme, prandaj është më mirë të përdoret një shtrojë për ushtrime, jastëk ose një bazë më e butë që ul presionin mbi nyja.
Ulja në dysheme mund të jetë një plotësim i mirë për personat që kalojnë shumë kohë ulur, por nuk duhet parë si zëvendësim i plotë i karriges ergonomike. Zgjidhja më e mirë është ndryshimi i pozitave gjatë ditës, ngritja e shpeshtë dhe lëvizja e rregullt.
Në fund, trupi nuk ka nevojë për një pozitë të vetme “të përsosur”, por për më shumë lëvizje dhe më pak qëndrim të gjatë në të njëjtën pozë. /Telegrafi/




