Tërmet në Spanjë, aktivizohet faza e emergjencës në Andaluzí

Bota

Një tërmet me magnitudë 5.0 ka goditur në orët e para të së shtunës provincën e Granadës në Spanjë, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik te banorët. Tërmeti u regjistrua në orën 01:04, me epiqendër pranë Alhendín, në zonën metropolitane të Granadës. Lëkundjet u ndjenë në pjesë të mëdha të Andaluzisë, përfshirë provincat e Granadës, […]

Madhësia e shkronjave

Një tërmet me magnitudë 5.0 ka goditur në orët e para të së shtunës provincën e Granadës në Spanjë, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik te banorët.

Tërmeti u regjistrua në orën 01:04, me epiqendër pranë Alhendín, në zonën metropolitane të Granadës.

Lëkundjet u ndjenë në pjesë të mëdha të Andaluzisë, përfshirë provincat e Granadës, Málaga, Almería, Jaen, Cordoba dhe Sevilla. Shërbimet e emergjencës morën më shumë se 200 telefonata lidhur me tërmetin dhe dëmet e shkaktuara.

Në disa zona u raportuan çarje në fasada, rënie të pjesëve të ballkoneve dhe kornizave të çative, si dhe dëmtime të automjeteve. Një ndërtesë banimi në Las Gabias u evakuua si masë parandaluese për shkak të dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet.

Qeveria rajonale e Andaluzisë aktivizoi nivelin e emergjencës të planit për rrezikun sizmik, ndërsa ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe specialistët po vlerësojnë dëmet në ndërtesat e prekura.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin hyrjen apo daljen e panevojshme nga ndërtesat e dëmtuara. Gjithashtu, qytetarët janë paralajmëruar të qëndrojnë larg fasadave, ballkoneve, mureve dhe strukturave të tjera që mund të shemben.

Pas tërmetit kryesor janë regjistruar edhe disa pasgoditje, me magnituda nga 2.2 deri në 3.7. Deri tani nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet vazhdojnë monitorimin e situatës dhe kontrollin e ndërtesave të dëmtuara. /Telegrafi/