Diddy transferohet në një burg federal në Pensilvani, data e lirimit shtyhet në mars 2028

Magazina

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs është transferuar nga burgu Fort Dix, në New Jersey, në një institucion federal në Pensilvani, ka konfirmuar Byroja Federale e Burgjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas BBC-së, 56-vjeçari u transferua të premten në FCI Allenwood Low, një burg me nivel të ulët sigurie, i vendosur rreth 250 kilometra […]

Madhësia e shkronjave

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs është transferuar nga burgu Fort Dix, në New Jersey, në një institucion federal në Pensilvani, ka konfirmuar Byroja Federale e Burgjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas BBC-së, 56-vjeçari u transferua të premten në FCI Allenwood Low, një burg me nivel të ulët sigurie, i vendosur rreth 250 kilometra në perëndim të New York-ut.

Përfaqësuesi i reperit, Juda S. Engelmayer, deklaroi se transferimi nga një institucion me siguri të ulët në një tjetër të së njëjtës kategori ishte në përputhje me një vendim të marrë duke pasur parasysh çështjet e sigurisë.

Autoritetet federale nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për arsyet konkrete të këtij vendimi, duke iu referuar çështjeve të privatësisë dhe sigurisë.

Transferimi vjen pas raportimeve të mediave amerikane për trajtimin që Combs dyshohet se kishte përfituar gjatë qëndrimit në Fort Dix, në New Jersey. Sipas NBC News, reperi pretendohet se kishte pasur qasje në telefona celularë, alkool dhe sende të tjera të ndaluara, si dhe se kishte paguar të burgosur të tjerë për t’i kryer shërbime personale.

Sipas të njëjtit raportim, sjellja e tij gjatë qëndrimit në burg ishte ndër faktorët e përmendur në lidhje me transferimin. Megjithatë, autoritetet federale nuk i kanë konfirmuar publikisht këto pretendime.

Ndërkohë, data e parashikuar e lirimit të reperit është shtyrë për në 2 mars 2028. Sipas raportimeve të NBC News dhe të dhënave të burgut të cituara nga BBC, Combs ka humbur 41 ditë nga ulja e mundshme e dënimit për sjellje të mirë.

Diddy u dënua me 50 muaj burg për dy vepra penale të lidhura me prostitucionin. Ai ka paraqitur kërkesë në gjykatën e apelit, duke kërkuar lirimin e tij dhe rrëzimin e dënimit.

Përfaqësuesi i reperit ka shprehur mirënjohje ndaj autoriteteve për vëmendjen që, sipas tij, po i kushtohet sigurisë dhe mirëqenies së Combs, duke shpresuar që ai të vazhdojë vuajtjen e dënimit pa ndërprerje të panevojshme. /Telegrafi/

Komentet