Chelsea ka rikthyer interesimin për sulmuesin e krahut të Juventusit, Francisco Conceicao, i cili mund të largohet nga Torino gjatë kësaj vere.
Sipas La Gazzetta dello Sport, klubi londinez po shqyrton mundësinë e transferimit të reprezentuesit portugez, veçanërisht në rast se Pedro Neto largohet nga Chelsea dhe transferohet te Al-Hilal.
Situata e Conceicaos te Juventusi mund të ndryshojë pas afrimeve të reja në repartin ofensiv. Ardhja e Kerim Alajbegovic, Randal Kolo Muanit dhe transferimi i Jeremie Bogas në janar mund ta shtyjë portugezin më poshtë në hierarkinë e trajnerit.

Chelsea tashmë ka bërë një tentativë për të kuptuar mundësinë e transferimit, por oferta fillestare prej 30 milionë eurosh nuk është e mjaftueshme për Juventusin.
“Bianconerët” kërkojnë të paktën 40 milionë euro për ta lënë të lirë 23-vjeçarin dhe, nëse Chelsea arrin këtë shifër, Juventusi pritet të jetë i gatshëm të negociojë shitjen.
Në këtë operacion është përfshirë edhe agjenti i njohur Jorge Mendes, i cili më herët kishte tentuar ta orientonte Chelsean drejt transferimit të Rafael Leaos nga Milani.
Conceicao u transferua përfundimisht te Juventusi nga Porto pas periudhës së huazimit, në një marrëveshje që në total i kushtoi klubit italian 41 milionë euro.
Portugezi kishte qenë gjithashtu i lidhur me një kalim në Ligën Premier gjatë verës, me Liverpoolin që kishte shfaqur interesim për të.
Një shitje për 40 milionë euro do t’i jepte Juventusit mundësinë për të investuar në një tjetër profil sulmuesi./Telegrafi/





