Gjendje e vështirë depresive pas Big Brother-it, i izoluar për ditë të tëra – Granit Cana trondit me rrëfimin për problemin e tij shëndetësor

Magazina

Ish-banori i Big Brother VIP Albania 1, Granit Cana, ka ndarë me ndjekësit një rrëfim tejet personal për një problem shëndetësor me të cilin, sipas tij, po përballet prej vitesh, por ende nuk ka arritur të marrë një diagnozë të saktë. Modeli i njohur ka treguar se herë pas here humb papritur fokusin dhe vëmendjen, […]

Madhësia e shkronjave

Ish-banori i Big Brother VIP Albania 1, Granit Cana, ka ndarë me ndjekësit një rrëfim tejet personal për një problem shëndetësor me të cilin, sipas tij, po përballet prej vitesh, por ende nuk ka arritur të marrë një diagnozë të saktë.

Modeli i njohur ka treguar se herë pas here humb papritur fokusin dhe vëmendjen, ndërsa shikimi i turbullohet, duke krijuar ndjesinë sikur ka një mjegull para syve. Pikërisht pasiguria rreth gjendjes së tij duket se ka qenë një prej pjesëve më të vështira të kësaj përvoje. Në një rrëfim të publikuar në TikTok, Graniti ka treguar se lutet çdo ditë që më në fund të zbulojë shkakun e këtyre problemeve dhe të mund të marrë trajtimin e duhur.

“Askush nuk e di problemin tim shëndetësor”, është shprehur ai, duke folur hapur për një betejë që deri tani e kishte mbajtur kryesisht larg vëmendjes së publikut. Graniti ka pranuar se gjatë kësaj periudhe ka reflektuar shumë edhe për të kaluarën e tij, duke e parë situatën si një sprovë dhe duke rikthyer në mendje mënyrën se si ka jetuar më herët. Por përtej vështirësive fizike, ai ka treguar se kjo situatë ka ndikuar rëndë edhe në gjendjen e tij emocionale.

Modeli ka rrëfyer se ka pasur momente kur është mbyllur në dhomë dhe ka qarë në heshtje, vetëm që nëna e tij të mos e shihte duke vuajtur. Megjithatë, ai pranon se tashmë e ka të vështirë t’i mbajë emocionet për vete.

“Jam hargjuar”, ka thënë Graniti, duke përshkruar lodhjen emocionale që ka sjellë një periudhë e gjatë pasigurie dhe pritjeje. Sipas rrëfimit të tij, një prej periudhave më të vështira erdhi pas përfundimit të Big Brother VIP Albania, kur gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë.

Graniti ka treguar se kaloi në një periudhë të rëndë emocionale dhe depresive, duke u izoluar për ditë të tëra dhe duke shmangur kontaktet me të tjerët. Pas viteve të përballjes me këtë situatë, ai ka zgjedhur tashmë të flasë publikisht për atë që po përjeton. Rrëfimi i tij vjen si një pasqyrim i një beteje personale që vazhdon ende, ndërsa Graniti mbetet në kërkim të një përgjigjeje për problemin që e shqetëson prej vitesh.

Dëshira e tij, siç ka shprehur vetë, është e thjeshtë: të zbulojë më në fund se nga çfarë vuan dhe të gjejë trajtimin e duhur për të rifituar qetësinë dhe jetën normale. /Telegrafi/