Curtis Jones është zyrtarisht futbollist i ri i Interit, pasi klubi italian ka përfunduar transferimin e tij nga Liverpooli.
Mesfushori anglez i është bashkuar Interit për 30 milionë euro, me mundësi për 5 milionë euro të tjera në formë bonusesh, ndërsa Liverpooli do të përfitojë gjithashtu 10 për qind të shumës së një shitjeje të ardhshme.
Jones bëhet lojtari i tretë i Kombëtares së Anglisë nga Kupa e Botës 2026 që transferohet te Interi gjatë kësaj vere, pas John Stones dhe mbrojtësit të Tottenhamit, Djed Spence.
Negociatat për transferimin zgjatën me muaj, pasi Liverpooli fillimisht nuk ishte i gatshëm të ulte kërkesat nën 40 milionë euro, pavarësisht faktit se kontrata e Jones skadonte në fund të sezonit.
Në fund, “Të Kuqtë” pranuan ofertën prej 30 milionë eurosh plus 5 milionë euro bonuse dhe përqindjen nga një shitje e ardhshme.
Jones udhëtoi mbrëmjen e së enjtes nga Liverpooli drejt Italisë, ndërsa sot përfundoi me sukses testet mjekësore dhe firmosi kontratën me Interin, e cila do ta mbajë në Milano deri në qershor të vitit 2031.
25-vjeçari kishte qenë në radarët e Interit që prej vitit të kaluar, ndërsa klubi italian kishte tentuar ta transferonte edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por Liverpooli e kishte refuzuar atëherë ofertën./Telegrafi/






