Real Madrid u largua nga “Allianz Arena” pa Vinicius Junior pas eliminimit dramatik nga Liga e Kampionëve në duelin ndaj Bayern Munich.
Sulmuesi brazilian u detyrua të qëndronte në Bavari për të përmbushur detyrimet e detyrueshme pas ndeshjes.
“Los Blancos”, 15-herë kampionët e Evropës, përjetuan një natë të vështirë në Gjermani, duke u mposhtur 4-3 dhe duke u eliminuar me rezultat të përgjithshëm 6-4.
Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës u ngjit në autobus menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Vinícius u përzgjodh për një test të rastësishëm antidoping pasi kishte luajtur gjithë ndeshjen.
Për shkak se procedura zgjati më shumë se sa pritej, stafi logjistik i klubit vendosi që autobusi kryesor të nisej drejt aeroportit, duke e lënë sulmuesin yll të udhëtojë më pas me makinë.
Nuk u publikuan deklarata të drejtpërdrejta lidhur me vonesën, por rregullat strikte të FIFA-s shpjegojnë pse lojtarët nuk mund t’i shmangen këtyre kontrolleve.
Sipas këtyre rregullave, atletët e kapur duke përdorur substanca të ndaluara mund të përballen me pezullime që variojnë nga disa muaj deri në përjashtim të përjetshëm.
Në rastet kur përdorimi konsiderohet i qëllimshëm për të fituar avantazh, dënimet zakonisht shkojnë deri në katër vite pezullim, ndërsa rastet e paqëllimshme mund të sjellin edhe dy vite ndalim nga të gjitha aktivitetet futbollistike.
Kuadri rregullator i testeve pas ndeshjes përfshin jo vetëm zbulimin e substancave të ndaluara, por edhe shkelje si refuzimi i kontrollit, mosrespektimi i udhëzimeve të zyrtarëve antidoping apo mosdeklarimi i saktë i vendndodhjes së atletit./Telegrafi/






