“Çfarë mund të bësh sot, lëre për nesër”: Çfarë fshihet pas zakonit të shtyrjes së punëve?

shendetesi

“Çfarë mund ta bësh sot, mos e lër për nesër”, thotë një fjalë e urtë. Megjithatë, shumë njerëz atë që mund ta bëjnë sot e shtyjnë për nesër, pasnesër, pas një jave apo edhe për një muaj më vonë Edhe pse e dimë se shtyrja e detyrave nuk na ndihmon, ajo është një formë e […]

Madhësia e shkronjave

“Çfarë mund ta bësh sot, mos e lër për nesër”, thotë një fjalë e urtë. Megjithatë, shumë njerëz atë që mund ta bëjnë sot e shtyjnë për nesër, pasnesër, pas një jave apo edhe për një muaj më vonë

Edhe pse e dimë se shtyrja e detyrave nuk na ndihmon, ajo është një formë e shpeshtë e sjelljes.

Sipas psikoterapeutëve, njerëzit zakonisht shmangin situata dhe aktivitete që i përjetojnë si të pakëndshme, të mërzitshme ose të lodhshme, pra gjithçka që ua prish rehatinë e momentit.

Shtyhen detyra të përditshme, si pastrimi me fshesë elektrike, larja e enëve apo shkuarja në dyqan, por edhe mësimi, aktiviteti fizik, punët e lidhura me profesionin ose vizita te mjeku. Shtyrja e herëpashershme e detyrave është e natyrshme, mirëpo kur ajo bëhet model i zakonshëm sjelljeje dhe e pengon jetën e përditshme, atëherë flasim për problem të zvarritjes së detyrave.

Pse zvarritja sjell lehtësim të përkohshëm?

Zvarritja e detyrave është zakon i shtyrjes së panevojshme të punëve, edhe kur personi është i vetëdijshëm për pasojat negative.

Njerëzit nuk i shtyjnë detyrat vetëm sepse nuk dinë ta organizojnë kohën, por shpesh sepse përpiqen të shmangin emocionet e pakëndshme, stresin, mërzinë ose ankthin që u shkakton një detyrë e caktuar.

Në këtë mënyrë, shtyrja bëhet një lloj lehtësimi i përkohshëm. Sa herë që personi e lë një punë për më vonë, ndien çlirim të menjëhershëm. Mirëpo, në plan afatgjatë, dëmi është më i madh: detyrat grumbullohen, qëllimet nuk arrihen dhe ndjenja e fajit rritet.

Roli i stresit, perfeksionizmit dhe frikës nga dështimi

Zvarritja e detyrave shpesh lidhet me tolerancë të ulët ndaj zhgënjimit. Kjo do të thotë se personi pret që gjithçka të jetë e lehtë, e këndshme dhe interesante. Kur nuk është kështu, detyra përjetohet si tepër e rëndë.

Ankthi, perfeksionizmi, frika nga dështimi, frika nga kritika, pasiguria në vete dhe pasiviteti janë ndër arsyet që e nxisin zvarritjen e detyrave.

Shtyrja e vazhdueshme e punëve rrit presionin dhe stresin, sepse detyrat grumbullohen. Me kalimin e kohës shfaqen ndjenja e fajit, vetëkritika, ankthi dhe humbja e vetëbesimit. Pasojat mund të ndihen edhe në marrëdhënie me të tjerët, në punë dhe në reputacionin profesional, transmeton Telegrafi.

Si të përballeni me shtyrjen e punëve?

Hapi i parë është vetëdijesimi: të kuptoni kur dhe pse i shtyni detyrat, cilët janë shkaktarët personalë dhe çfarë emocionesh po përpiqeni të shmangni.

Këshillohet të bëhet një plan i qartë pune, me afate për secilën pjesë të detyrës. Kur një punë duket shumë e madhe, është më mirë të ndahet në pjesë më të vogla. Nëse edhe atëherë duket e rëndë, ndajeni edhe më shumë, derisa çdo hap të duket i thjeshtë dhe i arritshëm.

Po ashtu, është e rëndësishme të largohen gjërat që shpërqendrojnë: telefoni, rrjetet sociale, televizori dhe faqet joshëse në internet.

A prisni momentin ideal për të nisur një punë? Mendoni se tani nuk është koha e duhur? Duhet ta dini se momenti ideal ndoshta nuk do të vijë kurrë.

Shumë pak njerëz i kanë të gjitha kushtet të përsosura. Nëse prisni që çdo gjë të jetë në vendin e vet para se të filloni, rrezikoni të mos filloni fare.

Prandaj, “mjaft mirë” shpesh duhet të jetë vërtet mjaft. Jo çdo gjë duhet të jetë e përsosur.

Edhe mjedisi ndikon në motivim. Ndonjëherë mjafton të ndryshoni hapësirën ku punoni, ndërsa ndonjëherë është më mirë të shkoni në zyrë, bibliotekë ose në një vend ku ka më pak shpërqendrim.

Një mënyrë e dobishme për ta kapërcyer zvarritjen është të mendoni për pasojat nëse puna nuk kryhet në kohë, por edhe për përfitimet që sjell kryerja e saj. Pas disa përvojave pozitive, ndjenja e kënaqësisë pas përfundimit të detyrës mund të bëhet nxitje e fortë për veprim.

Ndihmon edhe shoqërimi me njerëz veprues, të cilët i përfundojnë detyrat në kohë dhe mund t’ju ndihmojnë të krijoni zakone më të mira organizimi.

Në fund, është e rëndësishme t’ia falni vetes kohën e humbur deri tani. Kjo mund t’i lehtësojë emocionet e pakëndshme që lidhen me detyrat e ardhshme dhe me mënyrën si e shihni veten.

Përballuni me frikën nga dështimi dhe pranoni se jo gjithçka duhet të jetë e përsosur. /Telegrafi/