Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet t’i drejtohet sonte publikut në orarin kryesor televiziv lidhur me pretendimet për ndërhyrjen e Kinës në zgjedhjet amerikane, raportoi CBS News, duke cituar burime të njohura me përmbajtjen e fjalimit.
Sipas këtyre burimeve, një pjesë e fjalimit do t’i kushtohet pretendimeve se Pekini ka komprometuar të dhënat e votuesve amerikanë, si dhe akuzave se CIA kishte dijeni për këtë, por nuk e kishte informuar Trumpin gjatë mandatit të tij të parë.

Sipas raportit, në fjalim janë ftuar edhe anëtarët e kabinetit presidencial, përfshirë drejtuesit e CIA-s, FBI-së, Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Disa ministra nuk do të marrin pjesë për shkak të angazhimeve të mëparshme, shkruan reuters.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i hodhi poshtë pretendimet për përmbajtjen e fjalimit, duke deklaruar “si zakonisht, burime anonime po spekulojnë se çfarë do të thotë presidenti Trump në fjalimin e së enjtes mbrëma. E vërteta është se askush ende nuk e di se çfarë do të thotë në fund presidenti Trump, prandaj të gjithë duhet ta ndjekin fjalimin”.
Lideri amerikan e kishte paralajmëruar më herët këtë javë mbajtjen e fjalimit, pa dhënë shumë detaje, duke bërë të ditur vetëm se tema do të jenë zgjedhjet.
Në artikull rikujtohet se komuniteti amerikan i inteligjencës kishte vlerësuar në fillim të vitit 2021, me “shkallë të lartë besueshmërie”, se Kina nuk kishte tentuar të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe as të ndërhynte në infrastrukturën zgjedhore, përfshirë procesin e numërimit të votave.
Megjithatë, i njëjti dokument përmend edhe një mendim pakice nga zyrtarë të fushës së sigurisë kibernetike, sipas të cilit Kina, me “shkallë të moderuar besueshmërie”, ishte përpjekur të dëmtonte kandidaturën e Trumpit kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe deklaratave zyrtare.
Në një raport tjetër, pjesërisht të redaktuar dhe të deklasifikuar në vitin 2022, thuhet se shërbimi kinez i inteligjencës kishte analizuar në prill të vitit 2020 regjistrat e votuesve në disa shtete amerikane, por pa arritur në përfundimin se kishte tentuar të ndryshonte të dhënat ose të cenonte teknikisht procesin zgjedhor. /Telegrafi/





