Chelsea po planifikojnë të bëjnë një ofertë për Granit Xhakën, pasi Xabi Alonso i ka kërkuar pronarëve të klubit, BlueCo, që të finalizojnë një marrëveshje për mesfushorin e Sunderlandit, sipas një raporti.
Alonso, i cili do të bëhet zyrtarisht trajner i ri i Chelseat më 1 korrik, ka punuar më herët me Xhakën te Bayer Leverkusen.
Dyshja ka fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë në sezonin 2023/24 dhe gjithashtu ka arritur në finalen e Europa League në të njëjtin edicion.

Xhaka u transferua te Sunderland nga Bayer në verën e vitit 2025 për një shumë totale prej 17.3 milionë paundësh.
Ish-ylli i Arsenalit ishte një nga lojtarët më të mirë në Premier League sezonin e kaluar dhe një figurë kyçe për Sunderlandin.
33-vjeçari, i cili aktualisht po luan me Zvicrën në Kupën e Botës 2026, regjistroi 32 ndeshje si titullar dhe dy paraqitje si zëvendësues në Ligën Premier sezonin e fundit.
Ai shënoi një gol dhe pati gjashtë asistime, ndërsa Sunderland përfundoi në vendin e shtatë, duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për sezonin 2026/27.
Mesfushori ka kontratë me Sunderlandin deri në vitin 2028, por Chelsea po planifikon ta largojë nga ‘Stadium of Light’ gjatë këtij afati kalimtar veror.
Sipas raportimeve nga gazetari gjerman Florian Plettenberg, palët kanë arritur marrëveshje ndërsa tani pritet vetëm që të gjendet një gjuhë e përbashkët mes dy klubeve./Telegrafi/





