Besnik Krasniqi apo mbrojtësi ‘bomber’ i futbollit kosovar – Askush nuk ka shënuar më shumë se ai në 15 vitet e fundit në Superligë: Ëndërroj një ndeshje me Kombëtaren

Sport

Besnik Krasniqi është një nga emrat më të veçantë në futbollin kosovar modern, një mbrojtës i djathtë që ka thyer çdo stereotip të pozicionit të tij, duke u shndërruar në një nga lojtarët më produktivë në aspektin e golave në Superligën e Kosovës. Që nga viti 2009, ai është pjesë e ekipit seniore të Prishtina, […]

Madhësia e shkronjave

Besnik Krasniqi është një nga emrat më të veçantë në futbollin kosovar modern, një mbrojtës i djathtë që ka thyer çdo stereotip të pozicionit të tij, duke u shndërruar në një nga lojtarët më produktivë në aspektin e golave në Superligën e Kosovës.

Që nga viti 2009, ai është pjesë e ekipit seniore të Prishtina, duke shënuar një periudhë të gjatë besnikërie dhe kontributi në një nga klubet më të mëdha në vend.

Pas katër viteve te Prishtina, Krasniqi vazhdoi karrierën në Shqipëri, ku luajti për Partizanin e Tiranës dhe Teutën e Durrësit, para se të rikthehej në Kosovë.

Ajo që e bën të veçantë karrierën e tij është statistika e golave, e jashtëzakonshme për një mbrojtës. Gjatë viteve në Superligën e Kosovës, ai ka shënuar afërsisht 98 gola në total me klube të ndryshme, një shifër që e bënë atë mbrojtësin me më së shumti gola në historinë e futbollit kosovar.

Edhe pse në moshën 36-vjeçare, Bensik Krasniqi vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer, ku këtë edicion është shpallur për herë të dytë radhazi kampion me Dritën dhe ka qenë lider i padiskutueshëm i gjilanasve. 47 ndeshje në të gjitha garat, 10 gola e nëntë asistime e bëjnë atë lider të bardhekaltërve.

Krasniqi e nisi karrierën te Prishtina, derisa në futbollin kosovar gjatë kësaj kohe ka luajtur edhe për klube të ndryshme si Istogu, Gjilani, Llapi, Feronikeli, Vëllaznimi, Ballkani dhe tani pjesë e Dritës që katër vite.

Fatkeqësisht nuk ka statistika të shumta për vitet e kaluara në futbollin kosovar, por ajo që është konfirmuar nga Telegrafi është se Besnik Krasniqi ka shënuar 97 gola deri më tani me fanellat e klubeve kosovare në më shumë se 300 ndeshje.

Këto statistika tregojnë qartë profilin e tij si një mbrojtës modern, i cili nuk kufizohet vetëm në detyrat defensive, por është një armë e rëndësishme në fazën ofensive, veçanërisht në goditje standarde dhe penallti.

Përveç statistikave, Krasniqi është vlerësuar edhe për lidershipin dhe profesionalizmin e tij, duke qenë një lojtar që ka mbajtur standard të lartë për gati dy dekada në futbollin vendor.

Besnik Krasniqi ka folur për Telegrafin për karrierën e tij 17 vjeçare në futbollin senior, ku 14 e gjysmë i ka kaluar në Kosovë dhe dy vite e gjysmë të tjera në Shqipëri me klubet si Partizani, Teuta dhe Flamurtari.

“Ka pasur shumë vështirësi gjatë rrugës, por dorëzimin nuk e kam njohur asnjëherë. Karakteri im gjithmonë më ka shtyrë të punoj edhe më shumë dhe të synoj sa më lart. Me punë, disiplinë dhe përkushtim kam arritur të qëndroj në nivel të lartë për kaq shumë vite dhe jam krenar për këtë rrugëtim”, tha Krasniqi.

Me fanellën e skuadrës së tij aktuale Dritës, Besniki ka më së shumti gola të shënuar 45 deri më tani. Ai ka realizuar 38 me Prishtinën, 6 me Istogun, 3 me Ballkanin, me Gjilanin dhe Vëllaznimin nga 2 si dhe një tjetër me Feronikelin.

“Gjithmonë kam pasur dëshirë të shënoj gola. Që i vogël, goli më ka bërë të lumtur dhe edhe pse luaj në mbrojtje, gjithmonë kam hyrë në fushë me mendimin për të ndihmuar ekipin edhe në sulm. Sa u përket penalltive, ato kërkojnë qetësi dhe vetëbesim. Edhe kur ndodh të humbas ndonjëherë, unë kurrë nuk e humbas besimin te vetja. Kur dal te pika e bardhë, gjithmonë besoj se do të shënoj”, vazhdon tutje Krasniqi.

Këtë edicion deri më tani Krasniqi ka shënuar 11 gola e ka asistuar në 9 të tjerë në të gjitha garat, por ai ka pasur sezone edhe më produktive.

Sezoni i kaluar ishte përfunduar me 11 gola e 10 asistime, derisa në sezonin 2023/24 e mbylli me 9 gola e 11 asistime. Viti i parë me Dritën për Krasniqin ishte i jashtëzakonshëm me 14 gola dhe nëntë asistime vetëm në Superligën e Kosovës.

Gjithsesi ai nuk mund ta veçojë vetëm një sezon si më produktivin.

“Është pak e vështirë të veçoj vetëm një sezon, sepse kam pasur disa edicione shumë të mira me gola dhe asistime. Besoj se tri sezone kanë qenë pothuajse në të njëjtin nivel dhe jam shumë i lumtur që kam arritur statistika të mira duke ndihmuar skuadrën time, Dritën”.

36-vjeçari mbetet një nga futbollistët më të trofeshëm në futbollin kosovar me 6 tituj kampioni të fituar, 4 me Prishtinën dhe 2 të tjerë me Dritën.

“Çdo titull ka peshën dhe emocionin e vet, sepse secili vjen me sakrifica të mëdha. Jam shumë krenar që kam fituar gjashtë tituj kampioni dhe shpresoj të fitoj edhe më shumë trofe me Dritën. Sukseset me ekipin kanë gjithmonë një shije të veçantë”, thotë Besnik Krasniqi.

Kulmi i një karriere të shkëlqyer për Besnik Krasniqin ishte të luante në grupet e Ligës së Konferencës me Dritën, por këtë edicion ai synon edhe më shumë, të jetë pjesë e grupeve të Ligës së Evropës.

“Ishte hera e parë që luaja në grupet evropiane dhe për mua ishte një ndjenjë e papërshkrueshme. Jam shumë i lumtur që me Dritën kemi shkruar histori në futbollin kosovar dhe krenar që kam qenë pjesë e asaj arritjeje. Sigurisht që tani synimet janë edhe më të mëdha dhe pse jo, ta shohim Dritën edhe në grupet e Ligës së Evropës”, vazhdoi tutje mbrojtësi i djathtë.

36-vjeçari ka vazhduar kontratën edhe për dy vite me Dritën dhe në vitin 2028 do të jetë 38 vjeçar, por ai thotë se nuk do të jetë fundi i karrierës së tij pas dy vite, duke marrë parasysh që fizikisht është jashtëzakonisht mirë.

“Gjithmonë them se puna shpërblehet dhe rinovimi i kontratës është një dëshmi për këtë. Jam shumë i lumtur për besimin që Drita ka treguar ndaj meje. Sa i përket moshës, besoj se vitet janë vetëm numra. E rëndësishme është të jem mirë me shëndet dhe i motivuar. Nuk besoj se fundi do të vijë pas dy viteve, sepse ende ndiej se kam shumë për të dhënë në fushë”, shtoi Krasniqi.

Megjithatë, një nga dëshirat më të mëdha të karrierës së tij mbetet ende e paplotësuar: një paraqitje me Kombëtaren e Kosovës. Krasniqi vazhdon të luaj në të gjitha ndeshjet si titullar te Drita dhe thotë se është peng i karrierës së tij ta veshë së paku në një ndeshje miqësore apo zyrtare fanellën e Kombëtares së Kosovës për ta bërë ëndrrën realitet.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me karrierën deri më tani. Kam luajtur për shumë klube në Kosovë dhe në Shqipëri. Jam i përmbushur sa i përket karrierës në nivel klubesh, por pengu më i madh është një ndeshje me Kombëtaren e Kosovës. Përderisa vazhdoj të luaj në nivel të lartë me Dritën, do të vazhdojë të ëndërrojë një grumbullim nga Kombëtarja. Ndoshta një ditë do të bëhet realitet, derisa unë do të vazhdojë të jap më të mirën në fushë që kjo të ndodhë”, thotë Besnik Krasniqi. /Telegrafi/