Jude Bellingham ishte një nga protagonistët e fitores 4-2 të Anglisë ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse të Grupit L të Kupës së Botës 2026, duke kurorëzuar paraqitjen e tij me një gol në pjesën e dytë.
Para ndeshjes kishte pasur spekulime nëse mesfushori i Real Madridit do të ishte titullar në skuadrën e Thomas Tuchel, por 22-vjeçari u përgjigj në mënyrën më të mirë të mundshme në fushë dhe pas takimit pranoi se ishte i lumtur që kishte lënë pas zhurmën që e kishte shoqëruar në ditët e fundit.

“Për mua personalisht ishte mirë të lija mënjanë pak zhurmë dhe t’u tregoja vendit tim, shokëve të skuadrës sa i përkushtuar jam për të na ndihmuar të fitojmë ndeshje futbolli”, tha Bellingham.
Mesfushori anglez vlerësoi reagimin e skuadrës pas një pjese të parë jo bindëse, duke theksuar se Anglia e ngriti nivelin pas pushimit.
“Mendoj se ishte një performancë e shkëlqyer e ekipit në pjesën e dytë. Në pjesën e parë e kishim intensitetin e duhur, por me topin që nuk e kishim ende aty, dhe në pjesën e dytë mendoj se e zhvilluam gjithçka mirë”.
Bellingham shtoi se përfaqësimi i Anglisë mbetet një privilegj i jashtëzakonshëm për të, pavarësisht çdo kritike apo debati që mund të vijë nga jashtë.
“Përsëri, të kontribuoj për të ndihmuar ekipin tim, për të ndihmuar vendin tim është një nga nderet më të mëdha, pavarësisht zhurmës jashtë, ky nder nuk ndryshon për mua”, u shpreh Bellingham. /Telegrafi/





