Milani pritet të bëjë ndryshime në repartin e mesfushës për ndeshjen e rëndësishme të së dielës ndaj Atalantës në “San Siro”, sipas raportimeve të mediave italiane.
Sipas Corriere della Sera, trajneri Massimiliano Allegri po shqyrton një riformatim taktik, me synimin për të rritur ekuilibrin dhe kontrollin e lojës në mesfushë.
Në mungesë të Luka Modric, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar, Samuele Ricci shihet si kandidati kryesor për të nisur nga minuta e parë në rolin e mesfushorit defensiv.
Ricci pritet të zëvendësojë Ardon Jasharin, pas një paraqitjeje nën pritshmëri në ndeshjen e fundit kundër Sassuolos.
Stafi teknik i kuqezinjve kërkon më shumë siguri në qarkullimin e topit dhe stabilitet në fazën mbrojtëse, elemente që konsiderohen thelbësore për përballjen ndaj skuadrës së drejtuar nga Raffaele Palladino.
Kjo lëvizje vjen edhe si reagim pas humbjes 2-0 në “Mapei Stadium”, me Milanin që synon të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të përmirësojë paraqitjen përballë tifozëve vendas. /Telegrafi/






