A po përgatitet transferimi më i shtrenjtë në historinë e ligës saudite?

Sport

Luis Díaz mund të jetë protagonist i një prej transferimeve më të mëdha në historinë e futbollit saudit, pasi Al Hilal e ka identifikuar sulmuesin e Bayern Munich si objektivin kryesor të afatit kalimtar të verës. Klubi nga Arabia Saudite po përgatit një ofertë rekord për kolumbianin, i cili shihet si përforcimi ideal për repartin […]

Madhësia e shkronjave

Luis Díaz mund të jetë protagonist i një prej transferimeve më të mëdha në historinë e futbollit saudit, pasi Al Hilal e ka identifikuar sulmuesin e Bayern Munich si objektivin kryesor të afatit kalimtar të verës.

Klubi nga Arabia Saudite po përgatit një ofertë rekord për kolumbianin, i cili shihet si përforcimi ideal për repartin ofensiv të skuadrës.

Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, Al-Hilal ka vendosur që fillimisht të arrijë marrëveshje me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij, përpara se të nisë negociatat zyrtare me Bayernin për kartonin e tij.

Në këtë proces raportohet se po luan rol të rëndësishëm Richard Hughes, aktualisht drejtor sportiv i Liverpoolit, i cili pritet të marrë një rol të ngjashëm te Al-Hilal pas përfundimit të afatit kalimtar.

Ofertë prej 120 deri në 150 milionë dollarë për Bayernin

Al-Hilal është i gatshëm t’i ofrojë Luis Diazit një pagë vjetore prej rreth 25 milionë eurosh për ta bindur që të transferohet në Arabinë Saudite.

Në rast se lojtari pranon kushtet personale, klubi saudit do të nisë menjëherë bisedimet me Bayernin dhe pritet të paraqesë një ofertë që mund të jetë mes 120 dhe 150 milionë dollarëve.

Nëse marrëveshja do të realizohej me këto shifra, Luis Diaz do të bëhej transferimi më i shtrenjtë në historinë e Ligës Saudite.

Rekordi aktual mbahet nga Neymar, për të cilin Al-Hilal pagoi rreth 90 milionë euro te Paris Saint-Germain FC në vitin 2023.

Al-Hilal me buxhet të madh për afatin e verës

Sipas raportimeve, Al-Hilal ka në dispozicion një buxhet prej rreth 350 milionë dollarësh për përforcime gjatë kësaj vere, duke treguar ambiciet e mëdha të klubit.

Skuadra saudite tashmë ka bërë disa lëvizje në merkato, duke siguruar gjashtë përforcime të reja.

Përveç transferimit të mundshëm të Crysencio Summerville nga West Ham United FC, Al-Hilal ka afruar edhe Mohammed Al-Owais, Sabri Dahl, Abdullah Al-Anzi, Mohammed Al-Sarnukh dhe Nawaf Al-Habashi.

Me një investim të tillë financiar, klubi saudit synon të forcojë ndjeshëm skuadrën dhe të vazhdojë garën për dominim në futbollin aziatik. Nëse Luis Diaz do të mbërrinte në Riad, transferimi i tij do të shënonte një tjetër rekord të madh në epokën e shpenzimeve marramendëse të futbollit saudit. /Telegrafi/