Google po verifikon automatikisht numrat e telefonit dhe po i lidh me llogaritë e përdoruesve në pajisjet Android, një funksion që mund të ngrejë shqetësime për privatësinë.
Sipas raportimeve, ky opsion është aktivizuar si parazgjedhje që nga shtatori i vitit 2025. Ai mundëson që numri i telefonit nga karta SIM të verifikohet dhe të lidhet me llogaritë e Google të kyçura në pajisje, përfshirë llogaritë dytësore dhe ato të punës.
Google e arsyeton këtë funksion me lehtësimin e shërbimeve të ndryshme, si rikuperimi i llogarisë, identifikimi i përdoruesit dhe përdorimi i mesazheve RCS.
Megjithatë, mënyra automatike e lidhjes së numrit me disa llogari mund të jetë e padëshiruar për përdoruesit që duan më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre personale.
Përveç kësaj, verifikimi mund të aktivizojë funksione të tjera të Google, si shkëmbimi i përmbajtjeve, telefonatat me video dhe njoftimet që lidhen me numrin e telefonit. Numrat mund të rivërtetohen periodikisht, ndërsa ndërrimi i kartës SIM mund të bëjë që numri i ri të lidhet me llogaritë në pajisje.
Si mund ta çaktivizoni këtë opsion?
Përdoruesit e Android mund ta çaktivizojnë verifikimin automatik duke hapur cilësimet e telefonit dhe duke ndjekur këta hapa:
1. Hapni Settings (Cilësimet).
2. Zgjidhni Google dhe më pas All services (Të gjitha shërbimet).
3. Hyni te Privacy & security (Privatësia dhe siguria).
4. Zgjidhni Phone number verification (Verifikimi i numrit të telefonit).
5. Çaktivizoni opsionin Verify phone numbers automatically (Verifiko automatikisht numrat e telefonit).
Çaktivizimi i këtij funksioni nuk i largon automatikisht numrat që tashmë janë lidhur me llogaritë. Për t’i hequr, përdoruesit duhet të hyjnë në secilën llogari të Google, të hapin seksionin Personal info (Të dhënat personale), pastaj Phone (Telefoni) dhe ta fshijnë numrin përkatës.
Megjithatë, çaktivizimi mund të ndikojë në disa shërbime, përfshirë mesazhet RCS dhe mundësinë e përdorimit të numrit për rikuperimin e llogarisë.
Përdoruesit mund të zgjedhin nëse duan t’i mbajnë këto funksione aktive apo të kufizojnë lidhjen automatike të numrit të tyre me llogaritë e Google. /Telegrafi/