Dushan Pavloviq
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvilluara dje në Serbi, Lista Studentore, një lëvizje politike e iniciuar nga studentët universitarë në dhjetor 2024, mundi Partinë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit me rezultatin 51 për qind kundrejt 39 për qind. Rezultati përbën një enigmë për t’u analizuar. Pushtetari në detyrë kishte në dispozicion të gjitha instrumentet tradicionale për të mbijetuar politikisht: financat publike, institucionet shtetërore, një aparat patronazhi të shtrirë në të gjithë vendin dhe katërmbëdhjetë vjet pushtet të konsoliduar. Studentët nuk kishin as burime financiare, as rrjete klienteliste, as udhëheqës dhe as përvojë të mëparshme zgjedhore. E megjithatë, ata e mundën regjimin pa përvetësuar metodat e tij. Këtë rezultat e shpjegoj në pesë pika.
1. Akumulimi i pakënaqësisë
Fitorja e studentëve nuk erdhi nga hiçi. Ata trashëguan më shumë se një dekadë pakënaqësie në rritje ndaj Vuçiqit, e cila ishte shfaqur vazhdimisht përmes protestave publike, por nuk kishte prodhuar asnjëherë ndryshim politik. Vuçiqi erdhi në pushtet në vitin 2012, duke mobilizuar pakënaqësinë e përhapur ndaj reformave të tranzicionit postkomunist të ndërmarra gjatë viteve 2001-2012. Me kalimin e kohës, kjo pakënaqësi u kthye në drejtim të kundërt. Deri në vitin 2016, ish-pushtetarët, tashmë në opozitë, kishin humbur besueshmërinë, duke i shtyrë votuesit të kërkonin alternativa dhe aktorë të rinj politikë.
Kjo dinamikë prodhoi një varg aktorësh të rinj politikë, tërheqja elektorale e të cilëve u venit në mënyrë të vazhdueshme. Secili prej tyre ngjalli fillimisht shpresa për ndryshim politik, por këto shpresa u shuan, pasi disa prej të ardhurve të rinj e minuan vetë besueshmërinë e tyre, ndërsa të tjerët luftuan për të konkurruar në një mjedis politik gjithnjë e më të pabarabartë. Ndërkohë, Vuçiqi e kishte shndërruar demokracinë tashmë të dobët të Serbisë në një regjim hibrid me tipare gjithnjë e më autoritare. Kontrolli mbi institucionet shtetërore, burimet publike dhe pjesën më të madhe të medias i mundësoi të kompensonte rënien e mbështetjes popullore, të dobësonte opozitën dhe të ruante pushtetin.
Njëkohësisht, pakënaqësia ndaj regjimit u shfaq në valë të njëpasnjëshme protestash në rrugë, të cilat përsëriteshin mesatarisht çdo 18 muaj. Çdo valë mobilizonte më shumë njerëz se e mëparshmja, por në fund shuhej pa sjellë ndryshim politik. (Dinamika të ngjashme u vunë re më herët edhe në Poloni, gjatë viteve 2015-2023.) Kështu, rritja e mobilizimit shoqërohej me rritjen e zhgënjimit. Pakënaqësia ndaj Vuçiqit vazhdonte të akumulohej, ndërsa besimi se ai mund të largohej nga pushteti binte gradualisht. Deri në vitin 2024, shumë votues kishin humbur besimin edhe te partitë tradicionale të opozitës, të cilat i perceptonin si pjesë të të njëjtit sistem klientelist. Gjithnjë e më të bindur se ndryshimi politik ishte i pamundur, shumë prej tyre u tërhoqën krejtësisht nga pjesëmarrja në proceset zgjedhore.
2. Kapërcimi i dilemës së koordinimit
Pakënaqësia, në vetvete, nuk mjafton për të mposhtur një pushtetar në detyrë. Votuesit duhet të besojnë gjithashtu se edhe të tjerët do të mbështesin një alternativë të besueshme. Para shfaqjes së studentëve, shumë qytetarë të pakënaqur abstenonin, sepse e konsideronin Vuçiqin të pamposhtshëm dhe opozitën të paaftë për ta zëvendësuar. Pritshmëritë e tyre përforconin pikërisht rezultatin të cilit i druheshin. Duke nisur me pushtimin e fakulteteve në dhjetor 2024, mobilizimi arriti kulmin më 15 mars 2025, kur rreth 300 mijë njerëz u mblodhën në Beograd, në atë që mund të konsiderohet demonstrata më e madhe politike në qytet që nga çlirimi prej pushtimit gjerman në vitin 1944. Kjo ngjarje zbuloi përmasat e kundërshtimit ndaj regjimit dhe, ç’është edhe më e rëndësishme, i bëri ato të dukshme për të gjithë. Për herë të parë, shumë votues panë një alternativë të aftë për ta mundur Vuçiqin. Nëse identifikoheshin apo jo me bindjet politike të studentëve, kjo u bë dytësore. Ajo që kishte rëndësi ishte kundërshtimi i përbashkët ndaj pushtetarit në detyrë dhe besimi se edhe të tjerët do ta mbështesnin të njëjtën alternativë. Studentët ishin kthyer në pikën e referimit rreth së cilës mund të koordinohej vota kundër regjimit.
3. Duar të pastra, pa ambicie për të marrë pushtetin
Studentët ndryshonin nga lëvizjet e mëparshme opozitare edhe në një aspekt tjetër thelbësor: ata nuk kishin të kaluar të komprometuar politikisht. Shumë politikanë të konsoliduar të opozitës perceptoheshin gjerësisht si pjesë e po atij sistemi klientelist që pretendonin se kundërshtonin. Studentët, përkundrazi, ishin thjesht tepër të rinj për të pasur krijuar ose për t’u bërë pjesë e rrjeteve të tilla. Ata nuk kishin histori pazaresh politike, emërimesh publike apo qasjeje në burimet shtetërore. Në një sistem të përcaktuar nga patronazhi, mungesa e përvojës politike u shndërrua në avantazhin e tyre më të madh strategjik.
Ajo që ndodhi më pas ishte edhe më e jashtëzakonshme. Kur, në maj të vitit 2025, studentët kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare, ata vendosën një kusht të pazakontë: asnjë student nuk duhej të ishte pjesë e listës së tyre zgjedhore. Mesazhi i nënkuptuar ishte i qartë: duam ta largojmë pushtetarin, jo të zëmë vendin e tij. Nuk bëhej fjalë për privilegje, por për vetë sistemin. Ky ishte një largim i dukshëm nga politika tradicionale partiake, ku partitë synojnë pushtetin kryesisht për të siguruar poste dhe përfitime për drejtuesit e tyre. Kur studentët paraqitën përfundimisht listën e tyre me 250 kandidatë, asnjë prej tyre nuk ishte student, e aq më pak anëtar i lëvizjes studentore.
Duke refuzuar të synonin vetë postet politike, studentët e bënë më të besueshëm premtimin e tyre për të ndryshuar sistemin. Ky angazhim tërhoqi votues si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, përfshirë ata që ishin zhgënjyer nga dështimet e njëpasnjëshme të opozitës dhe ata që ishin tërhequr krejtësisht nga pjesëmarrja në zgjedhje. Shtrirja e gjerë e këtij ndikimi u pasqyrua në pjesëmarrjen prej rreth 70 për qind, me afro 600 mijë votues më shumë sesa në dhjetor 2023. Vetëmohimi i tyre bëri diferencën.
4. Vuçiqi u bë politikisht i dalë mode
Tërheqja e studentëve nuk buronte thjesht nga fakti se nuk kishin njolla në të kaluarën politike. Ata ishin gjithashtu të rinj, kryesisht në fund të adoleshencës ose në fillim të të njëzetave. Si çdo brez, ata kishin kulturën, vlerat dhe kuptimin e tyre për atë që ishte e pranueshme, e dëshirueshme apo thjesht cool. Ajo që përfaqësonte Vuçiqi, por jo vetëm ai, nuk kishte vend në këtë botëkuptim. Për ta, Vuçiqi ishte politikisht dhe kulturalisht i dalë mode. Ai përfaqësonte një botë politike me të cilën nuk dëshironin më të identifikoheshin: patronazhin, klientelizmin, korrupsionin, pazaret informale dhe një sistem ku lidhjet personale dhe besnikëria politike kishin më shumë rëndësi sesa arsimimi, aftësitë profesionale apo merita. Kjo thjesht nuk ishte bota e tyre.
Lëvizja tërhoqi dhe mobilizoi një numër të jashtëzakonshëm të rinjsh, të cilët e shihnin Vuçiqin si politikisht të parëndësishëm dhe kulturalisht të shkëputur nga koha, pak a shumë në të njëjtën mënyrë siç Vuçiqi vetë kishte mobilizuar në vitin 2012 votuesit e pakënaqur me reformat e tranzicionit postkomunist. Ky qëndrim u përhap gradualisht edhe përtej brezit të tyre. Votuesit më të moshuar, të cilët prej kohësh ishin të pakënaqur me Vuçiqin, por kishin dështuar vazhdimisht të gjenin një alternativë të besueshme, nisën të identifikoheshin me refuzimin që studentët i bënin kulturës së tij politike. Përmes kësaj risie kulturore, studentët ndryshuan vetë kushtet e konkurrencës politike. Vuçiqi mund të premtonte paga më të larta, t’u ofronte të rinjve apartamente me subvencion ose të shpërndante ndihma në para, por këto instrumente tradicionale kishin pak efekt te njerëzit që nuk dëshironin më të ishin pjesë e botës politike që ai përfaqësonte. Pikërisht këtë sistem klientelist të korruptuar dhe të blerjes së votave ata po luftonin.
5. Nuk ishte ekonomia, o i mençur!
Shpjegimet e mësipërme theksojnë veçantinë e fitores së studentëve. Por, në humbjen e Vuçiqit ndikuan edhe disa faktorë më tradicionalë. Ndryshimet demografike e dobësuan gradualisht bazën e tij elektorale, e cila mbështetej shumë te pensionistët, ndërsa votuesit e rinj përbënin një nga grupet kryesore mbështetëse të lëvizjes studentore. Midis zgjedhjeve të mëparshme dhe tetorit 2026, rreth 270 mijë njerëz vdiqën, kryesisht të moshuar, ndërsa afërsisht 170 mijë të rinj përfunduan arsimin e mesëm. Studentët ndoqën gjithashtu një strategji gjithëpërfshirëse, duke tërhequr si liberalët proevropianë, ashtu edhe konservatorët me orientim kombëtar, të cilët më parë mbështesnin parti të ndryshme opozitare.
Studentët zhvilluan edhe një formë tjetër organizimi politik. Në vend që të mbështeteshin te patronazhi, stimujt financiarë dhe strukturat e centralizuara partiake, ata mobilizuan mijëra vullnetarë, të cilët kontribuuan me kohën dhe energjinë e tyre pa pritur shpërblime personale. Motivimi i tyre ishte, me gjasë, më i fortë se ai i shumë anëtarëve të makinerisë politike të Vuçiqit. Kështu, angazhimi politik u shndërrua në një alternativë ndaj stimujve materialë, nga të cilët varen organizatat tradicionale partiake. Ashtu si studentët u mobilizuan pa shpërblime materiale, Vuçiqi u mund pa pasur një krizë ekonomike. Pushtetarët autoritarë shpesh bëhen të cenueshëm kur kushtet ekonomike përkeqësohen, siç tregoi rasti i Hungarisë së Orbánit në prill 2026. Ironikisht, Serbia ishte ndryshe. Gjatë pesë viteve të mëparshme, ekonomia kishte ecur mirë: standardet e jetesës ishin përmirësuar, papunësia kishte mbetur relativisht e ulët, pagat reale dhe pensionet ishin rritur, ndërsa monedha kishte ruajtur stabilitetin.
6. Përfundim
Në fund të fundit, zgjedhjet në Serbi nuk ishin thjesht një garë mes alternativave politike, por mes dy mënyrave thelbësisht të ndryshme të organizimit të politikës.
Përvoja serbe vë në pikëpyetje bindjet tradicionale mbi burimet e nevojshme për të mposhtur një pushtetar të konsoliduar. Fakti që një lëvizje e organizuar në mënyrë të lirshme dhe të decentralizuar, me burime financiare të pakta, pa udhëheqës (!), pa rrjete klienteliste dhe pa përvojë politike, arriti të mposhtë një makineri të fuqishme politike klienteliste, do të bëhet një objekt i rëndësishëm kërkimi akademik. Rasti i Serbisë do të studiohet në kurset universitare të politikës krahasuese dhe ekonomisë politike, si dhe do të trajtohet në artikuj dhe libra akademikë.
