Instagram teston formatin e ri “Features”, me video horizontale deri në 90 minuta

Teknologji

Instagram ka nisur testimin e një formati të ri videosh, të quajtur “Features”, i cili do t’u mundësojë përdoruesve të publikojnë video horizontale me gjatësi deri në 90 minuta. Formati i ri synon të zgjerojë mundësitë e platformës për përmbajtje më të gjata, veçanërisht për krijuesit e podkasteve dhe ata që publikojnë materiale në formë […]

Madhësia e shkronjave

Instagram ka nisur testimin e një formati të ri videosh, të quajtur “Features”, i cili do t’u mundësojë përdoruesve të publikojnë video horizontale me gjatësi deri në 90 minuta.

Formati i ri synon të zgjerojë mundësitë e platformës për përmbajtje më të gjata, veçanërisht për krijuesit e podkasteve dhe ata që publikojnë materiale në formë emisionesh.

Sipas një raporti të The Hollywood Reporter, testimi nisi të hënën dhe aktualisht është i kufizuar te një grup i përzgjedhur krijuesish të përmbajtjes në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, raporti bën të ditur se Instagram e ka testuar këtë funksion edhe me krijues në Brazil.

Nënkryetarja e Instagramit për produktet, Tessa Lyons, dhe drejtuesi i platformës, Adam Mosseri, kanë ndarë gjithashtu detaje për formatin e ri, transmeton Telegrafi.

“Features” është projektuar kryesisht për podkasterët, të cilët do të mund të publikojnë episode të plota ose klipe më të gjata, pa qenë të detyruar ta ndajnë përmbajtjen në shumë video të shkurtra.

Fillimisht, videot e gjata do të shfaqen në skedën Explore përmes klipeve të shkurtra. Përdoruesit që dëshirojnë të shohin përmbajtjen e plotë do të mund të prekin butonin e ri “Watch full video”, i cili do t’i dërgojë drejtpërdrejt te videoja e plotë.

Në fazën e parë, formati “Features” do të jetë i disponueshëm përmes aplikacionit mobil të Instagramit, ndërsa mbështetja për Instagram for TV planifikohet të shtohet më vonë. Kjo do t’i hapte rrugë shikimit të përmbajtjeve të gjata edhe në ekranet televizive.

Instagram pritet ta zgjerojë funksionin për të gjithë përdoruesit në SHBA deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Nëse testimi rezulton i suksesshëm, “Features” mund ta forcojë rolin e platformës në shpërndarjen e podkasteve dhe videove të gjata, duke e afruar më tej me shërbimet që ofrojnë përmbajtje më të zgjeruara audiovizuale. /Telegrafi/

Komentet