Chevrolet synon që Corvette e ardhshme të mbetet e përballueshme, pavarësisht rritjes së fuqisë

Teknologji

Chevrolet dëshiron që gjenerata e ardhshme e Corvette të ofrojë performancë më të lartë se modeli aktual, pa u shndërruar në një makinë sportive me çmim të krahasueshëm me modelet ekzotike të Lamborghini-t dhe Ferrari-t. Tony Roma, kryeinxhinieri i Corvette, i tha medias The Drive se modeli i ardhshëm, C9, duhet të përmirësojë performancën, por […]

Madhësia e shkronjave

Chevrolet dëshiron që gjenerata e ardhshme e Corvette të ofrojë performancë më të lartë se modeli aktual, pa u shndërruar në një makinë sportive me çmim të krahasueshëm me modelet ekzotike të Lamborghini-t dhe Ferrari-t.

Tony Roma, kryeinxhinieri i Corvette, i tha medias The Drive se modeli i ardhshëm, C9, duhet të përmirësojë performancën, por të ruajë pozicionimin e tij si një alternativë më e përballueshme në segmentin e makinave sportive me fuqi të lartë.

Roma dëshiron që gjenerata e re të ruajë diferencën e çmimeve mes versioneve bazë dhe atyre më të fuqishme, në vend që të gjitha variantet të afrohen me nivelin e çmimeve të supermakinave luksoze.

Aktualisht, gama e vitit 2027 nis me Corvette Stingray, me çmim fillestar prej 73.795 dollarësh, përfshirë tarifën e destinacionit, ndërsa në krye qëndron ZR1X, me çmim prej 227.695 dollarësh.

Komentet e Roma-s vijnë ndërsa General Motors vazhdon të zgjerojë gamën e gjeneratës aktuale C8, e cila përdor motor të vendosur në mes të makinës, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, ky konfigurim nuk do të thotë se Chevrolet duhet të ndjekë çmimet e prodhuesve si Lamborghini dhe Ferrari. Corvette, thekson ai, duhet të vazhdojë të ofrojë raport konkurrues mes çmimit dhe performancës.

Për vitin model 2027, gama zgjerohet me versionet Grand Sport dhe Grand Sport X. Ky i fundit është hibrid dhe zë vendin e E-Ray.

Grand Sport X kombinon motorin V8 të gjeneratës së gjashtë LS6 small-block me një motor elektrik të vendosur në boshtin e përparmë, duke mundësuar sistemin me të gjitha rrotat aktive.

Për gjeneratën e ardhshme C9, pritet të ruhet transmisioni me dy friksione dhe sistemin e transaksit të vendosur pas motorit, megjithëse Roma ka shprehur dëshirën personale për një kambio manuale.

“Si drejtues i makinës dhe si klient, do ta dëshiroja shumë. Thjesht nuk e di nëse mund ta bëjmë ekonomikisht të arsyeshme”, tha ai.

Instalimi i një kambie manuale në një Corvette me motor të vendosur në mes nuk do të ishte një ndryshim i thjeshtë i pjesëve ekzistuese.

Transmisioni i C8 është projektuar që nga fillimi për funksionim me dy friksione, ndërsa përshtatja e një pedaleje friksioni, mekanizmit të komandimit dhe një kutie të re marshesh do të kërkonte pajisje të reja prodhimi, testime për qëndrueshmëri dhe certifikim të emetimeve.

Roma kujtoi se konfigurimi i mëparshëm me motor përpara dhe kambio manuale u zhvillua dhe u përmirësua gjatë rreth 30 vjetësh. Kjo, sipas tij, tregon se sa shumë punë inxhinierike kërkohet pas një sistemi që në pamje të parë përbëhet vetëm nga leva e marsheve dhe pedali i friksionit.

“Transmisionet janë jashtëzakonisht të shtrenjta”, tha Roma, duke shprehur dyshime se një zgjidhje nga tregu pas shitjes, si përshtatja e një kambie Tremec, do të mund t’i kalonte të gjitha testet dhe proceset e nevojshme për prodhim masiv.

Sipas kryeinxhinierit, kërkesa për kambion manuale në industrinë e automobilave vjen në cikle dhe, megjithëse ekziston, nuk është aq e madhe sa të justifikojë kostot shtesë.

Për Chevrolet, sfida mbetet që C9 të ofrojë më shumë fuqi dhe performancë, pa humbur karakterin e Corvette si një makinë sportive me çmim relativisht të përballueshëm. /Telegrafi/

Komentet