Vuçiq pranon humbjen

Bota

Aleksandar Vuçiq, bartës i listës “Serbia e Bashkuar”, tha se Lista Studentore ka fituar zgjedhjet. “Bazuar në mostrën, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”, ka thënë Aleksandar Vuçiq, nga selia zgjedhore e Partisë Progresive Serbe. Ai thotë se pret që Lista e Studentëve të ketë shumicën në parlamentin e ri, shumë më larg […]

Madhësia e shkronjave

Aleksandar Vuçiq, bartës i listës “Serbia e Bashkuar”, tha se Lista Studentore ka fituar zgjedhjet.

“Bazuar në mostrën, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”, ka thënë Aleksandar Vuçiq, nga selia zgjedhore e Partisë Progresive Serbe.

Ai thotë se pret që Lista e Studentëve të ketë shumicën në parlamentin e ri, shumë më larg se 126 mandatet e nevojshme për të qeverisur, dhe SNS-ja e tij do të ketë vetëm 105 mandate.

Kujtojmë se në Serbi janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku rreth 6.45 milionë qytetarë me të drejtë vote zgjedhin përbërjen e re të Parlamentit prej 250 ulësesh.

Në garë kanë qenë 18 lista zgjedhore, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës marrin pjesë të bashkuar përmes listës “Koalicioni Shqiptar”, e cila garon me numrin 17 dhe ka statusin e listës së pakicës kombëtare.

Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe janë mbyllur në orën 20:00.

Këto zgjedhje paraqesin edhe një prej sfidave më të mëdha politike për Aleksandar Vuçiqin dhe kampin e tij në vitet e fundit, pasi përballë tij është fuqizuar lëvizja e udhëhequr nga studentët, e lindur nga protestat masive që kanë vazhduar për afro dy vjet dhe që tashmë është shndërruar në një forcë të rëndësishme elektorale. /Telegrafi/

Komentet