Serbia ka hyrë në një epokë të re politike.
Kështu e fillon shkrimin e tij Euronews, duke raportuar se “Lista Studentore” ka fituar zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke shënuar një kthesë të rëndësishme për një lëvizje që lindi nga muaj të tërë protestash studentore dhe u shndërrua me shpejtësi në forcën më të rëndësishme politike të vendit.
Sipas rezultateve paraprake, “Lista Studentore” do të ketë midis 135 dhe 140 mandate në Kuvendin Kombëtar, gjë që i siguron asaj një shumicë të qartë për të formuar qeverinë – fakt ky i pranuar edhe nga Aleksandar Vuçiq, ish-president dhe udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe.
Sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare Serbe mori rreth 1,72 milion vota, ndërsa “Lista Studentore” fitoi 2,2 milion – përkatësisht 52% kundrejt 32,3%.
Ndryshe, pak më herët, edhe Aleksandar Vuçiq, bartës i listës “Serbia e Bashkuar”, tha se Lista Studentore ka fituar zgjedhjet.
Ndërkohë për humbjen e Vuçiqit ka shkruar edhe BBC.
Sipas këtij mediumi, udhëheqësi prej kohësh i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka pranuar humbjen përballë lëvizjes protestuese të udhëhequr nga studentët, në zgjedhjet parlamentare të vendit.
“Ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare… por është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje”, deklaroi të dielën vonë udhëheqësi populist i krahut të djathtë, kujton BBC.
Të dhënat paraprake nga Komisioni Zgjedhor i Serbisë treguan një pjesëmarrje rekord, për të cilën komentuesit kishin sugjeruar se do të favorizonte lëvizjen studentore.
Vuçiqi i kishte shpallur zgjedhjet e parakohshme pas dy vitesh protestash, të nxitura nga shembja e çatisë së një stacioni treni në vitin 2024 – ngjarje që shkaktoi 16 viktima dhe u pa si simbol i korrupsionit e neglizhencës në Serbi.
Kujtojmë se në Serbi janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku rreth 6.45 milionë qytetarë me të drejtë vote zgjedhin përbërjen e re të Parlamentit prej 250 ulësesh.
Në garë kanë qenë 18 lista zgjedhore, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës marrin pjesë të bashkuar përmes listës “Koalicioni Shqiptar”, e cila garon me numrin 17 dhe ka statusin e listës së pakicës kombëtare.
Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe janë mbyllur në orën 20:00. /Telegrafi/