Thomas Brdaric ka treguar arsyet që e çuan drejt largimit nga Malisheva, duke zbuluar se vendimi i tij erdhi pas mosrespektimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve nga klubi kosovar.
Trajneri gjerman, në një deklaratë për Transfermarkt në Gjermani, ka bërë të ditur se situata në klub nuk ishte më e përshtatshme për të vazhduar bashkëpunimin, pavarësisht se në aspektin sportiv gjithçka po shkonte mirë.
“Situata në tërësi nuk ishte më e përshtatshme. Vazhdimisht kishte obligime të papërmbushura. Në fund, më është dashur të marr një vendim për veten dhe, mbi të gjitha, për familjen time”, ka deklaruar Brdaric.
Ai ka pranuar se largimi nga Malisheva ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë, pasi kishte krijuar një raport të mirë me futbollistët dhe ishte i kënaqur me punën në fushën e lojës.
Nga Malisheva në Arabinë Saudite, Thomas Brdaric zyrtarizohet nga klubi i ri
“Natyrisht, ky ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë për mua. Jam trajner profesionist dhe nga ana sportive gjithçka po shkonte shumë mirë”.
“Më erdhi veçanërisht keq për lojtarët, sepse kishim bashkëpunuar vërtet shumë mirë”, ka shtuar trajneri gjerman.
Deklaratat e Brdaricit hedhin dritë mbi arsyet e largimit të tij nga Malisheva, duke lënë të kuptohet se problemet jashtë fushës ishin vendimtare në marrjen e këtij vendimi./Telegrafi/






