Bondsteel-i si bazë e përhershme amerikane, sa fiton Kosova dhe çfarë interesi ka Uashingtoni?

Nacionale

Propozimi për shndërrimin e Kampit Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake amerikane ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e pranisë së Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe ndikimin që një zhvillim i tillë do të mund të kishte në sigurinë e vendit dhe në rajon, shkruan Telegrafi. Kjo temë u rikthye pasi që senatori amerikan, Dick […]

Madhësia e shkronjave

Propozimi për shndërrimin e Kampit Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake amerikane ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e pranisë së Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe ndikimin që një zhvillim i tillë do të mund të kishte në sigurinë e vendit dhe në rajon, shkruan Telegrafi.

Kjo temë u rikthye pasi që senatori amerikan, Dick Durbin ka thënë se propozimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që kampi Bondsteel të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane, “duhet të shqyrtohet seriozisht”.

Nga ana tjetër ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini dhe ish-koloneli i FSK-së, Hysen Gecaj në deklarata dhënë për Telegrafin, kanë analizuar përfitimet e mundshme të kësaj nisme, por edhe sfidat që lidhen me interesat strategjike të SHBA-së, kostot financiare dhe garancitë konkrete të sigurisë.

Sipas Eminit, një bazë e përhershme amerikane do të forconte partneritetin bilateral ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, ndërsa Gecaj vlerëson se rëndësia e saj do të varej nga angazhimet konkrete ushtarake dhe strategjike që do të përfshiheshin në një marrëveshje të mundshme.

Emini ka theksuar se një bazë e tillë do të përfaqësonte një ndryshim në mënyrën se si është organizuar aktualisht prania ushtarake amerikane në Kosovë.

“Aktualisht, Kosova dhe SHBA-ja kanë bashkëpunim bilateral, por prania e trupave amerikane në Kosovë është e organizuar në kuadër të NATO-s, përmes KFOR-it. Një bazë e përhershme amerikane do ta bilateralizonte më tej këtë bashkëpunim dhe do t’i jepte partneritetit mes dy vendeve një dimension të ri.”, ka thënë Emini për Telegrafin.

Ajo ka vlerësuar se një zhvillim i tillë do të kishte rëndësi jo vetëm për garancitë e sigurisë, por edhe për pozitën dhe relevancën e Kosovës në rajon.

Megjithatë, Emini ka shprehur rezerva sa i përket mundësisë që Uashingtoni ta mbështesë një propozim të tillë, duke theksuar se vendimi do të varej nga interesat dhe prioritetet strategjike amerikane.

“Duhet të kemi parasysh se krijimi i një baze të përhershme ushtarake është një projekt shumë ambicioz dhe i kushtueshëm. Prandaj, para se të flasim për gjasat që SHBA-ja ta pranojë këtë propozim, duhet të shohim se ku qëndrojnë interesat strategjike të Uashingtonit sot. Administrata Trump ka dërguar vazhdimisht sinjale se pret që evropianët të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Në të njëjtën kohë, vëmendja strategjike e SHBA-së është zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt Paqësorit. Kjo e bën më të vështirë të shihet se si një bazë e re në Kosovë do të përputhej me prioritetet aktuale të Uashingtonit, sidomos kur prania ushtarake amerikane në Evropë po rishikohet dhe riorganizohet”, ka deklaruar ajo.

Sipas ekspertes së politikës së jashtme, çështja kryesore është nëse SHBA-ja do ta shihte një investim të tillë si pjesë të interesave të veta strategjike, përtej ndikimit që tashmë ka në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk është e qartë se çfarë vlere shtesë strategjike do t’i sillte SHBA-së një bazë e përhershme në Kosovë, përtej ndikimit që tashmë e ka në rajon. Duhet pasur parasysh edhe konteksti rajonal. Kosova është e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s ose vende që kanë partneritet me Aleancën, ndërsa SHBA-ja tashmë ka një prani të konsiderueshme ushtarake në Evropë”, ka theksuar Emini.

Senatori amerikan: Kosova propozoi marrëveshje financiare për ta bërë Bondsteelin bazë të përhershme të SHBA-së

Ajo ka shtuar se nga pikëpamja ushtarake, këto kapacitete mund të mbulojnë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, por kjo ngre pyetjen se çfarë nevoje shtesë do të adresonte një bazë e re dhe nëse kjo do të justifikonte kostot financiare e politike.

“Për këtë arsye, do ta trajtoja me kujdes propozimin dhe pritjet që mund të krijojë. Për Kosovën, një bazë e tillë do të kishte rëndësi të madhe strategjike dhe politike, por kjo nuk do të thotë se ajo përbën domosdoshmërisht një investim strategjik në interes të SHBA-së. Në fund, vendimi nuk do të varet vetëm nga rëndësia që i jep Kosova këtij projekti, por nga fakti nëse Uashingtoni e sheh atë si pjesë të prioriteteve të veta strategjike”, ka theksuar Emini.

Ajo ka shtuar se në këtë fazë, të flitet për shuma konkrete apo për mënyrën se si do të strukturohej marrëveshja do të ishte spekulim.

“Nuk jemi ende në një fazë ku mund të flasim për përmbajtjen konkrete të një marrëveshjeje të tillë, e aq më pak për kostot financiare që do të mund të kishte për Kosovën.

Edhe nëse Qeveria e Kosovës ka hartuar një plan, detajet e tij nuk do të ishin domosdoshmërisht publike. Bëhet fjalë për çështje të sigurisë kombëtare, të cilat mund t’u nënshtrohen kufizimeve të qasjes në informata dhe procedurave të veçanta, përfshirë ato që lidhen me prokurimin publik. Këto janë çështje që kanë ndjeshmëri jo vetëm teknike, por edhe politike e strategjike. Është e qartë se një marrëveshje e tillë do të mund të përfshinte zotime financiare për Kosovën, por natyra dhe madhësia e tyre do të vareshin nga shumë faktorë: çfarë forme do të kishte baza, çfarë përgjegjësish do të merrte përsipër secila palë dhe cili do të ishte niveli i angazhimit amerikan”, tha Emini.

Emini ka theksuar se një marrëveshje e mundshme do të mund të përfshinte zotime financiare për Kosovën, por se natyra dhe madhësia e tyre do të vareshin nga forma e bazës, përgjegjësitë e secilës palë dhe niveli i angazhimit amerikan.

Ekspertja e politikës së jashtme është ndalur edhe te deklarata e senatorit amerikan Dick Durbin në mbështetje të kësaj ideje, duke vlerësuar se ajo ka peshë politike, por nuk përbën dëshmi se institucionet amerikane kanë marrë vendim për ta mbështetur propozimin.

“Fakti që një senator amerikan e mbështet këtë ide është domethënës, por duhet të bëjmë dallimin mes mbështetjes politike dhe një vendimi institucional të SHBA-së”, ka theksuar Emini për Telegrafin.

Ajo ka shtuar se për ta çuar përpara këtë nismë, Kosovës do t’i duhej një qasje më e strukturuar dhe një angazhim i qëndrueshëm politik e diplomatik.

Në anën tjetër, ish-koloneli i FSK-së, Hysen Gecaj ka vlerësuar se shndërrimi i Bondsteel-it në bazë të përhershme amerikane do të kishte rëndësi strategjike për Kosovën dhe për arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, Kosova nuk do të niste nga zero, pasi Bondsteel-i tashmë është një instalim i rëndësishëm amerikan dhe seli e Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it.

Ndryshimi kryesor do të ishte krijimi i një kuadri më të qëndrueshëm dypalësh për praninë amerikane, me mundësi për funksione, kapacitete dhe angazhime shtesë.

“Për Kosovën, përfitimi kryesor potencial do të ishte forcimi i efektit parandalues ndaj kërcënimeve ushtarake dhe rritja e sigurisë strategjike. Një prani e përhershme amerikane do të mund të shërbente gjithashtu si pikë mbështetëse për operacionet rajonale dhe për reagimin ndaj krizave, varësisht nga kushtet e marrëveshjes”, ka thënë Gecaj për Telegrafin.

Megjithatë, ish-ushtaraku ka theksuar se një bazë e përhershme nuk do të nënkuptonte automatikisht garanci të pakushtëzuar ushtarake dhe as nuk do ta zëvendësonte rolin e NATO-s dhe KFOR-it.

“Rëndësia e saj do të varej nga angazhimet konkrete që do të merrnin përsipër të dyja palët”, ka deklaruar ai.

Gecaj ka vënë në pah se për Kosovën do të ishte e rëndësishme që një marrëveshje e mundshme të mos kufizohej vetëm në praninë fizike të trupave amerikane, por të përfshinte edhe bashkëpunimin ushtarak, trajnimin, zhvillimin teknologjik dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Për Kosovën do të ishte veçanërisht e rëndësishme që kjo marrëveshje të mos kufizohej vetëm në praninë fizike të trupave amerikane, por të shoqërohej edhe me një program të qartë të bashkëpunimit ushtarak, trajnimit, zhvillimit teknologjik dhe ngritjes së kapaciteteve të FSK-së”, ka thënë Gecaj.

KFOR prezanton në kampin Bondsteel kapacitetet kundër dronëve

Ai ka theksuar gjithashtu se një marrëveshje e tillë duhet të shqyrtohet me kujdes për sa u përket kostove financiare, kushteve juridike dhe koordinimit me NATO-n. Sipas tij, angazhimet duhet të jenë të qarta, afatgjata dhe transparente për institucionet e Kosovës.

Në vlerësimin e Gecajt, rëndësia e kësaj nisme nuk duhet të matet vetëm me emërtimin që do të kishte instalimi ushtarak, por me rezultatet konkrete që do të sillte për sigurinë e vendit.

“Në përfundim, rëndësia e propozimit nuk duhet matur vetëm me faktin nëse Bondsteel-i do të quhet bazë e përhershme, por me atë se çfarë garancish, kapacitetesh dhe angazhimesh konkrete do të sillte kjo për sigurinë e Kosovës. Kjo është çështja thelbësore që duhet të shqyrtohet para se propozimi të shndërrohet në marrëveshje”, ka përfunduar Gecaj për Telegrafin.

Ish-ushtaraku ka shtuar se e gjithë kjo vlen nëse nisma është kërkesë serioze dhe e mirëfilltë e institucioneve të Kosovës, e jo një përpjekje për manipulimin e opinionit publik për interesa të politikave ditore.

Ndryshe, senatori amerikan, Dick Durbin ka thënë se propozimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që kampi Bondsteel të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane, “duhet të shqyrtohet seriozisht”.

Ai tha se Qeveria e Kosovës “ka propozuar një marrëveshje financiare” për këtë çështje dhe se ajo nuk do të përbënte ndonjë “sakrificë të madhe parash”. /Telegrafi/

Komentet