Femicidi në Pratteln që tronditi Zvicrën shkon në shkallën e dytë: Gjykimi ndaj kosovarit rinis në nëntor

Nacionale

Procesi gjyqësor për një nga femicidet më të bujshme në rajonin e Baselit po hyn në një fazë të re. Një 62-vjeçar nga Kosova, i cili u dënua vitin e kaluar me 19 vjet burgim dhe 15 vjet dëbim nga Zvicra për vrasjen makabre të nuses së djalit të tij në Pratteln, do të dalë […]

Madhësia e shkronjave

Procesi gjyqësor për një nga femicidet më të bujshme në rajonin e Baselit po hyn në një fazë të re.

Një 62-vjeçar nga Kosova, i cili u dënua vitin e kaluar me 19 vjet burgim dhe 15 vjet dëbim nga Zvicra për vrasjen makabre të nuses së djalit të tij në Pratteln, do të dalë sërish para gjyqit nga mesi i muajit nëntor. Gjykata e Kantonit Basel-Landschaft ka caktuar dy ditë e gjysmë seanca për shqyrtimin e rastit në shkallë të dytë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2020, kur i pandehuri goditi me thikë nusen e djalit pas konflikteve të vazhdueshme familjare. Viktima kishte planifikuar të ndahej nga bashkëshorti i saj për shkak të dhunës në familje, ndërsa Gjykata Penale e konsideroi krimin si të planifikuar, të pabesë dhe mjaft brutal.

Sipas vendimit të shkallës së parë të dhjetorit 2024, vjehrri kërkonte të eliminonte nusen dhe të mbante nipin e vogël në familjen e djalit, çka u vërtetua edhe nga kërkimet që ai kishte bërë në internet mbi kujdestarinë e fëmijës në rast të vdekjes së nënës.

Në gjyqin e shkallës së dytë, mbrojtja e të dënuarit do të udhëhiqet sërish nga avokati i njohur nga Zürichu, Valentin Landmann.

Mbrojtja pretendon se i klienti i saj nuk ka vepruar me paramendim, por në vetëmbrojtje dhe në gjendje të tronditjes psiqike, duke kërkuar uljen e dënimit në maksimum 9 vjet burg për vrasje pa paramendim dhe anulimin e dëbimit nga territori zviceran. Në anën tjetër, trupi gjykues i shkallës së parë kishte shkuar edhe më tej se kërkesa e prokurorisë prej 17 vjetësh, duke i shqiptuar atij 19 vjet burgim, transmeton Telegrafi.

Një provë kyçe që pritet të luajë rol vendimtar edhe në procesin e apelimit është një regjistrim audio prej rreth gjysmë ore, të cilin viktima e kishte bërë me telefonin e saj celular gjatë momentit të sulmit.

Në atë regjistrim dëgjohet shkallëzimi i konfliktit dhe lutjet e gruas për të parë edhe një herë djalin e saj trevjeçar, të cilin vjehrri e kishte nxjerrë jashtë banesës bashkë me anëtarët e tjerë të familjes përpara se të kryente krimin.

Ndërsa gjykata e cilësoi këtë si provë goditëse të kriminelit, avokati mbrojtës pretendon se viktima e ka bërë regjistrimin për ta provokuar të pandehurin./Telegrafi/

Komentet