Deputeti shqiptar në Suedi ngre alarmin për retorikën nacionaliste në Serbi-Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë

Nacionale

Deputeti shqiptar i Parlamentit të Suedisë, Arbër Gashi, ka shprehur shqetësim për retorikën nacionaliste në Serbi, deklaratat kërcënuese ndaj Kosovës dhe faktin që Milan Radoiçiqi, i përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Gashi ka kërkuar që Suedia të mbajë një qëndrim më të qartë dhe më të […]

Madhësia e shkronjave

Deputeti shqiptar i Parlamentit të Suedisë, Arbër Gashi, ka shprehur shqetësim për retorikën nacionaliste në Serbi, deklaratat kërcënuese ndaj Kosovës dhe faktin që Milan Radoiçiqi, i përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Gashi ka kërkuar që Suedia të mbajë një qëndrim më të qartë dhe më të vendosur në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, duke tërhequr vëmendjen te zhvillimet politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, shkruan Telegrafi.

Në rrjetin e tij social, ai ka postuar një video nga fjalimi i tij, ku shihet se ka ngritur shqetësime edhe për situatën e brendshme në Serbi, duke përmendur dhunën ndaj protestuesve, arrestimet arbitrare dhe sulmet ndaj gazetarëve.

Deputeti ka kritikuar gjithashtu rikthimin e retorikës nacionaliste ndaj Kosovës, duke rikujtuar deklaratat e ministres serbe Paunoviq, e cila, sipas tij, ka thënë se do të kryente spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve ’90.

Shqetësim, sipas Gashit, paraqet edhe pjesëmarrja e ministrave serbë në varrimin e Ratko Mladiqit, i dënuar për gjenocid.
Ai ka rikujtuar edhe deklaratën e ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, se flamuri i Serbisë herët a vonë do të ngrihet në Prizren, duke e cilësuar këtë frymë politike si shqetësuese për stabilitetin në rajon.

Një tjetër çështje e ngritur nga Gashi është liria e Milan Radoiçiqit, i cili ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur të përfshirë në sulmin në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Radoiçiqi është shfaqur së fundmi edhe në një tubim zgjedhor përkrah presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Gashi ka theksuar se pasojat e luftërave vazhdojnë të ndihen në rajon dhe se pretendimet territoriale dhe retorika nacionaliste rrezikojnë të thellojnë frikën dhe mosbesimin ndërmjet komuniteteve.

Ai i ka bërë thirrje Suedisë që të jetë më e qartë në qëndrimet e saj ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, të mbrojë pavarësinë e Kosovës dhe të mos i nënvlerësojë rreziqet që paraqesin, sipas tij, deklaratat nacionaliste dhe tendencat për rikthimin e politikave të së kaluarës./Telegrafi/

Komentet