Fisnik Asllani po vazhdon të lërë gjurmë me paraqitjet e tij te Hoffenheimi, por golat dhe kontributi individual nuk po mjaftojnë që skuadra gjermane t’i shmangë rezultatet negative.
Sulmuesi i Kosovës shënoi golin e tij të parë të sezonit dhe të parin në garat evropiane, në ndeshjen kundër Besiktasit, por Hoffenheimi pësoi humbjen e radhës, duke u mposhtur me rezultat 3-2 në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Evropës.
Asllani realizoi në minutën e 68-të, pas një aksioni individual, në të cilin tregoi teknikën dhe qetësinë para portës. Megjithatë, dy golat e shpejtë të Oh Hyeon-Gyu më pas i dhanë fitoren skuadrës turke, duke e lënë Hoffenheimin sërish pa pikë të rëndësishme.
Pas përfundimit të takimit, sulmuesi kosovar foli për vështirësitë e skuadrës dhe momentet vendimtare që, sipas tij, po i kushtojnë Hoffenheimit.
Super Asllani, shënon gol të jashtëzakonshëm ndaj Besiktasit
“Është shumë e vështirë për ta pranuar këtë. E kemi menduar ndryshe. Donim t’i merrnim pikët e plota ndaj një kundërshtari të fortë. Jemi mbrojtur mirë herë pas here, por nuk kishim përqendrimin e duhur në momentet vendimtare”, deklaroi Asllani për faqen zyrtare të klubit.
Pavarësisht zhgënjimit, futbollisti i Kosovës u bëri thirrje bashkëlojtarëve të mos dorëzohen, duke rikujtuar se skuadra duhet të ruajë besimin dhe të përmirësojë paraqitjet në vazhdim.
“Në sezonin e kaluar na kanë ndodhur shumë gjëra, por nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë dhe të kemi vetëbesim. Duhet të mbrohemi mirë si ekip. Kemi periudha shumë të mira në çdo ndeshje, por duhet të jemi në lojë për 90 minuta”, shtoi ai.
Hoffenheimi ka regjistruar rezultate zhgënjyese edhe në ndeshjet e fundit. Në fundjavën e kaluar, skuadra u mposht nga Hamburgu, ndonëse Asllani kontribuoi me një asistim. Edhe në atë përballje, skuadra nuk arriti ta shfrytëzonte kontributin e sulmuesit kosovar për të marrë rezultat pozitiv.
Asllani, i cili kishte shënuar edhe për Kosovën në barazimin 1-1 ndaj Austrisë në Prishtinë, shpreson që skuadra të reagojë në ndeshjen e ardhshme kundër Borussia Monchengladbachut.
“Besoj përfundimisht se duhet të shpërblehemi për përpjekjet për ndeshjen ndaj Borussia Monchengladbachut”, përfundoi ai.
Në përballjen ndaj Besiktasit, Asllani luajti gjatë tërë ndeshjes, ndërsa 90 minuta i kompletoi edhe mesfushori Leon Avdullahu. Në anën tjetër, Albian Hajdari mungoi për shkak të një tjetër lëndimi./Telegrafi/






