Arsenali ka përfshirë në stërvitjet e ekipit të parë talentin 14-vjeçar Luis Munoz, teksa trajneri Mikel Arteta po përballet me një kalendar të ngjeshur të ndeshjeve.
Adoleshenti është bashkuar me skuadrën e parë të “Topçinjve”, pasi Arteta vazhdimisht u jep mundësi futbollistëve të akademisë që të stërviten me ekipin senior dhe të dëshmojnë potencialin e tyre.
Arsenali do të zhvillojë nëntë ndeshje brenda 28 ditësh ndërmjet pushimeve për ndeshjet e kombëtareve, ndaj rotacioni dhe përfshirja e talenteve të rinj mund të jenë të rëndësishme për menaxhimin e ngarkesës fizike të futbollistëve.
Munoz konsiderohet një nga talentet më premtuese të akademisë së klubit londinez. Muajin e kaluar, ai hyri në histori duke u bërë golashënuesi i dytë më i ri në historinë e UEFA Youth League, pasi realizoi ndaj ekipit U19 të Napolit.
Talenti spanjoll kishte vendosur edhe një tjetër rekord sezonin e kaluar, kur u bë futbollisti më i ri që luajti në këtë garë, në moshën 13-vjeçare e 11-muajshe.
Përfshirja e tij në stërvitjet e ekipit të parë dëshmon besimin që Arsenali ka te zhvillimi i tij, ndërsa mbetet të shihet nëse Munoz do të marrë mundësinë për të debutuar me skuadrën senior nën drejtimin e Artetës./Telegrafi/






