Njëri kapiten në Zvicër, tjetri shkëlqen në Suedi – pesë qendërmbrojtësit që mund ta përforcojnë edhe më shumë Kosovën

Sport

Në këto dy vitet e fundit, te Kosova është dëshmuar se kur mungon dikush nga mbrojtësit, niveli i “Dardanëve” po kanë një rënie në aspektin defansiv, pavarësisht që i tërë ekipi po bën çmos që t’i zëvendësojë më së miri. Më së miri kjo u pa në këto kualifikueset e Ligës së Kombeve, kur në […]

Madhësia e shkronjave

Në këto dy vitet e fundit, te Kosova është dëshmuar se kur mungon dikush nga mbrojtësit, niveli i “Dardanëve” po kanë një rënie në aspektin defansiv, pavarësisht që i tërë ekipi po bën çmos që t’i zëvendësojë më së miri.

Më së miri kjo u pa në këto kualifikueset e Ligës së Kombeve, kur në mungesë të Albian Hajdarit, përzgjedhësi Franco Foda u detyrua të provonte në një sfidë edhe Mërgim Vojvodën si qendërmbrojtës, e në pozitën e tij në krahë e vendosi Ermal Krasniqin.

Vlen të ceket se Fidan Aliti u pensionua, ndërsa mungoi edhe Kreshnik Hajrizi, i cili ende s’është rikuperuar plotësisht nga lëndimi i ligamentit të gjurit që pësoi muaj më parë.

Megjithatë, strategjia që ka përdorur Kosova ndër vite mund të vazhdojë të jetë funksionale, pasi ka plot lojtarë të rinj nga diaspora, me prindër shqiptarë që kanë të drejtë të luajnë për “Dardanët”, ngase ende s’kanë debutuar me ekipin A të një kombëtare tjetër.

Më poshtë, këta janë emrat që Kosova mund t’i bindë për ta veshur fanellën dardane dhe që të kontribuojnë për ta ngritur edhe më shumë nivelin.

Lindrit Kamberi – Zurich

Risia më e mundshme për Kosovën padyshim është kapiteni i Zurichut Lindrit Kamberi, i cili luan edhe në pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë.

Kamberi është pjesë e Zurihchut që nga fëmijëria, ndërsa vazhdimisht ka dhuruar paraqitje pozitive, si dhe është ndër më të vlerësuarit këtë sezon.

Ai ka lënë të hapur mundësinë për ta përfaqësuar Kosovën si dhe e njeh mirë Fodan, pasi këtë të fundit e ka pasur edhe trajner vite me parë te Zurichu.

“Jo, nuk kam pasur kontakte me Lindritin. E njoh mirë. E kam pasur lojtar te Zurichu. Ia njoh edhe kualitetet, por të shohim në të ardhmen”, deklaroi së fundmi tekniku gjerman kur u pyet rreth mundësisë që Kamberi të veshet në fanellën “Dardane”.

Bleon Kurtulus – Halmstadt

19-vjeçari Bleon Kurtulus po fiton vëmendje të madhe në Suedi, ku po luan vazhdimisht në elitën e futbollit suedez, ndërsa po dhuron paraqitje pozitive.

Këtë edicion ai ka zhvilluar 423 minuta në 14 paraqitje për Halmstadt, duke shënuar edhe një gol për proces.

Kurtulus ka përfaqësuar grupmoshat e Suedisë U17, U19 dhe aktualisht është pjesë e U21. Përndryshe, ai është vëllau i Edvinit, ish-kapitenit të Kosovës U21.

Elison Makolli – Aalborg BK

21-vjeçari është një tjetër lojtar që po përparon në karrierë si dhe ka gjendur formën e shkëlqyer që kur iu bashkua gjigantit danez, Aalborg BK.

Njësoi si Kurtulus, edhe Makolli ka përfaqësuar të gjitha grupmoshat e Suedisë, pra U17, U18, U19, U20 dhe aktualisht pjesë e U21. Faktikisht, shpesh me Bleonin janë dyshja që i besohet “zemra” e suedezëve.

Këtë edicion, Makolli ka zhvilluar të gjitha ndeshjet e mundshme me AaB, pra plot nëntë paraqitje për të kontribuar me një gol e një asistim.

Amar Gërxhaliu – Erzurumspor

Djali nga Vushtrria, Amar Gërxhaliu është një tjetër opsion që mund të konsiderohet nga Franco Foda. Ai është startues i padiskutueshëm në elitën e futbollit turk, duke zhvilluar gjashtë paraqitje këtë sezon me Erzurumsporin.

Gërxhaliu megjithatë ende nuk ka vendosur se me kë të vazhdojë në nivelin ndërkombëtar, ngase edhe ka nisur procedurat për t’u pajisur me pasaportë shqiptare.

Përndryshe, 24-vjeçari ka përfaqësuar Shqipërinë U18, pastaj kaloi te Kosova U21. Tani do të jetë para vendimit të karrierës, se kë të përfaqësojë përfundimisht në nivelin ndërkombëtar.

Gjan Ajdin – FC Lugano

Ajdin është një tjetër lojtar nga Kosova që ka të drejtë të përfaqësojë “Dardanët” në nivelin ndërkombëtar, pavarësisht që në të kaluarën ka qenë pjesë e Zvicrës dhe Suedisë.

19-vjeçari luan në pozitën e mesfushorit me tipare defansive, mirëpo përdoret edhe si qendërmbrojtës.

Ende është e paqartë se nëse këta lojtarët e lartpërmendur janë në kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), por paraqitjet e tyre në ligat evropiane kanë nisur të fitojmë vëmendje, prandaj mund të ishin opsione konkrete./Telegrafi/