Historia përsëritet – ku qëndrojmë ne

opinion

Historia përsëritet, sepse aktorët ose fuqia e tyre ndryshojnë, por interesat mbeten të njëjta. Më 1848, Lord Palmerston, atëherë ministër i Jashtëm i Britanisë, u tha deputetëve në Londër se vendi i tij nuk kishte as aleatë të përjetshëm, as armiq të përhershëm; të përjetshme ishin vetëm interesat. Kjo fjali, e thënë para pothuajse dy […]

Madhësia e shkronjave

Historia përsëritet, sepse aktorët ose fuqia e tyre ndryshojnë, por interesat mbeten të njëjta.

Më 1848, Lord Palmerston, atëherë ministër i Jashtëm i Britanisë, u tha deputetëve në Londër se vendi i tij nuk kishte as aleatë të përjetshëm, as armiq të përhershëm; të përjetshme ishin vetëm interesat. Kjo fjali, e thënë para pothuajse dy shekujsh, e shpjegon mirë edhe atë që po ndodh sot me Evropën.

Zhvillimet globale

Sa herë që Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga Evropa, fuqitë e tjera përpiqen të zënë vendin e tyre. Këtë nuk e them si parashikim për të ardhmen; po ndodh tani, para syve tanë, dhe mendoj se duhet ta kuptojmë sa më herët. Në zhvendosje të tilla, popujt e vegjël zakonisht nuk e drejtojnë lojën, por e pësojnë.

Uashingtoni nuk e fsheh më se interesi i tij për kontinentet e tjera është zbehur. Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të dhjetorit 2025, hemisfera perëndimore, pra Amerika e Veriut dhe e Jugut, del në krye të prioriteteve, ndërsa Doktrina Monroe e vitit 1823 rikthehet haptazi. Aty thuhet pa ndonjë dorashkë se ShBA-ja nuk do ta mbajë më gjithë botën mbi supe, si Atlasi.

Kjo nuk ka mbetur vetëm në letër. Strategjia e Mbrojtjes, e publikuar në janar 2026, parashikon që prania ushtarake amerikane në Evropë të ulet gradualisht. Një brigadë është tërhequr nga Rumania, disa programe ndihme për shtetet baltike janë ndërprerë dhe po pakësohet edhe personeli amerikan në strukturat këshillimore të NATO-s. Me pak fjalë, Amerika po përqendrohet te gjysma e saj e globit dhe Evropës i thotë që sigurinë ta mendojë vetë. Për ne nuk ka aq rëndësi nëse kjo është e mirë apo e keqe; më e rëndësishme është se kush do ta mbushë hapësirën që lirohet.

Rusia përpiqet të shtojë ndikimin në Evropë duke e sfiduar Bashkimin Evropian si projekt politik. Nuk ka nevojë ta pushtojë kontinentin; i mjafton ta përçajë dhe ta lodhë nga brenda. Në Ballkan, rruga e saj kalon kryesisht përmes Serbisë. Kina, nga ana tjetër, po e zgjeron ndikimin në Azi e Afrikë, por edhe në Ballkan, me kredi dhe projekte infrastrukture që nuk kushtëzohen me standarde demokratike. Ka edhe fuqi rajonale në Lindjen e Afërt me ambicie të ngjashme, por ajo është temë më vete.

Ku qëndrojmë ne

Evropa për ne nuk është një kontinent i largët; është shtëpia jonë. Prandaj, duhet ta dimë mirë ku qëndrojmë në gjithë këtë lëvizje. Në fund, pyetja është e thjeshtë: cilës zonë ndikimi do t’i përkasim? Kjo është e gjitha.

Kosova dhe Shqipëria e kanë zgjedhur prej kohësh rrugën e integrimit në BE. Por, të mos integrohesh nuk do të thotë të jesh neutral. Do të thotë që herët a vonë do të biesh nën ndikimin e dikujt tjetër.

Këtë e kemi provuar në kurriz tonë. Në Kongresin e Berlinit më 1878, kur fuqitë e mëdha rindanin Ballkanin, mbizotëroi mendimi se nuk ekzistonte një komb shqiptar. Shqiptarët nuk kishin shtet as mbrojtës, ndaj tokat e tyre u përdorën si monedhë në pazaret e të tjerëve.

Më 1913, në Konferencën e Londrës, kufijtë tanë u vizatuan sërish pa ne. Nëse sot, kur fuqitë po rindajnë ndikimin e mbetemi jashtë BE-së, do ta përsërisnim të njëjtën histori.

E njëjta gjë ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore. Në shkurt 1945, në Jaltë, fuqitë fitimtare e ndanë Evropën në zona ndikimi. Shqipëria përfundoi në Bllokun Lindor dhe në një izolim që zgjati gati gjysmë shekulli. Kosova, pavarësisht premtimeve të Konferencës së Bujanit, iu kthye Jugosllavisë. Edhe atëherë, fati ynë u vendos në tryeza ku ne nuk ishim të ftuar. Nëse sot, kur fuqitë po rindajnë ndikimin, mbetemi jashtë BE-së, do ta përsërisnim të njëjtën histori.

Shpesh zemërohemi me kushtet që na vendos Brukseli. Por, duhet ta kemi parasysh se zgjerimi duhet të pranohet edhe nga qeveritë dhe votuesit e shteteve anëtare. Përndryshe, politikanët atje që e mbështesin zgjerimin humbasin besimin e zgjedhësve të vet dhe kjo po ndodh tashmë në disa vende.

Shqipëria, edhe pse me një qeverisje qe anon herë pas here kah autoritarizmi, ka ecur megjithatë shpejt. Ka hapur të 33 kapitujt e negociatave; në maj 2026 ishte vendi i parë që mori raportin e vlerësimit të ndërmjetëm, dhe më 14 korrik mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë. Qeveria synon t’i mbyllë të gjithë deri në fund të 2027, ndërsa mbi 90 përqind e shqiptarëve e duan anëtarësimin. Natyrisht, rruga mbetet e gjatë, sepse tre kapituj nga 33 janë vetëm fillimi.

Në të njëjtën kohë, SPAK-u ka treguar se standardi i drejtësisë mund të ndryshojë. Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, e thyen bindjen e vjetër se kush është afër pushtetit mbetet i paprekshëm.

E, pikërisht tani, kur vendi ka bërë hapin më të madh drejt BE-së dhe drejtësia po forcohet, Shqipëria përfshihet nga trazirat. Protestat e të ashtuquajturit “Revolucion Flamingo” nisën më 31 maj, një ditë pasi një qytetar u rrah nga roja private gjatë një proteste në Zvërnec kundër një resorti luksoz në zonë të mbrojtur – projekt i lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit Trump. Që atëherë, njerëzit mblidhen çdo mbrëmje në Tiranë me parullën “Shqipëria nuk është në shitje” dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës.

Këto ditë gjërat morën një kthesë të rrezikshme. Më 13 dhe 14 tetor studentët iu bashkuan lëvizjes me kërkesa për kushte më të mira studimi dhe jetese, por tubimet përfunduan me përplasje me policinë. U hodhën gurë e molotov, mori flakë një pjesë e Ministrisë së Arsimit, u dëmtuan dyqane dhe u lënduan policë e gazetarë. Presidenti Bajram Begaj u bëri thirrje palëve për përgjegjësi dhe përmbajtje, por qetësia ende nuk është rikthyer.

Mendoj se pikërisht dhuna e zbulon skenarin. Studentët dolën për bursa, konvikte dhe kushte studimi, dhe këto kërkesa nuk kanë nevojë për molotov. Një student që kërkon arsim më të mirë nuk i vë zjarrin Ministrisë së Arsimit. Kur një protestë me kërkesa të drejta kthehet brenda pak orësh në rrënim dhe zjarrvënie, ky nuk është më skenari i studentëve. Është skenari i atyre që kanë interes ta shohin Shqipërinë të destabilizuar – pikërisht në momentin kur po afrohet më shumë se kurrë me BE-në. Dhuna nuk u shërben kërkesave të studentëve. Përkundrazi, ua zbeh ato dhe ia jep qeverisë argumentin për t’i injoruar. Kujt i shërben atëherë? Atyre për të cilët një Shqipëri e qetë, në rrugë drejt Brukselit, është pengesë.

Me këtë nuk dua të them se studentet e kanë gabim. Pakënaqësia për korrupsionin, arsimin dhe koston e jetesës është e vërtetë. Por, një protestë, kur ndizet, merr jetë të vetën dhe ushqehet nga ngjarjet që shkakton vetë. Do të ishim naivë po të mos pyesnim kujt i leverdis kaosi pikërisht tani. Mendoj se populli ynë duhet të tregojë mençuri dhe ta peshojë mirë ku të çojnë këto protesta.

Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës. Por, çka sjell ky ushtrim ne këtë moment, pa alternativa legjitime. Nëse e shohim me gjakftohtësi, dorëheqja e tij në këtë moment:

– nuk do ta afronte me tepër anëtarësimin në BE: një krizë qeveritare në mes të negociatave do ta ngadalësonte procesin dhe do t’u jepte argumente atyre që në Bruksel dyshojnë te zgjerimi;

– nuk sjell reforma në drejtësi, pasi që ajo nuk varet nga ndërrimi i qeverisë: ajo kërkon kohë e durim, siç e ka treguar vetë SPAK-u, rezultatet e të cilit erdhën pas vitesh pune;

– nuk do të sillte as barazi sociale brenda natës, sepse pabarazia krijohet në dekada dhe zgjidhet me politika dhe zvillim ekonomik;

– nuk do të sillte investime të huaja, sepse investitorët kërkojnë stabilitet dhe perspektivë evropiane, pikërisht atë që rrezikon kaosi.

Prandaj zhvillimeve politike duhet t’u lihet kohë. Prioriteti i Shqipërisë duhet të jetë mbyllja sa më e shpejtë e kapitujve dhe anëtarësimi. Pjesa tjetër do të vijë, e duan apo jo politikanët, sepse BE-ja do t’i kërkojë llogari kujtdo që qeveris.

Për Kosovën e njëjta gjë vlen, ne fakt edhe më fort. Kosova aplikoi për anëtarësim në dhjetor 2022, por kërkesa as sot nuk i është dërguar Komisionit Evropian për opinion. Pesë shtete anëtare ende nuk e njohin Kosovën, ndërsa Rusia dhe Kina e kundërshtojnë hapur. Masat ndëshkuese që BE-ja vendosi në qershor 2023 u hoqën plotësisht vetëm në fillim të 2026, dhe ato ishin një paralajmërim i qartë se edhe miqtë tërhiqen kur shohin veprime të njëanshme.

Acarimi me BE-në shkon drejtpërdrejt kundër interesave të Kosovës. Çdo hap drejt anëtarësimit kërkon pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare, përfshirë ato pesë që nuk e njohin, dhe çdo përplasje me Brukselin u jep atyre, e pas tyre Serbisë, pikërisht argumentin që kërkojnë. Kostoja është matur edhe në para: masat ngrinë mbi 400 milionë euro fonde evropiane, ndalën takimet e nivelit të lartë dhe e lanë aplikimin në sirtar. Sipas Institutit GAP, vetëm nga projektet që nuk u realizuan, Kosova humbi përgjithmonë 7.1 milionë euro. Nga kjo nuk fituan qytetarët e Kosovës, por ata që duan ta shohin të izoluar.

BE-ja është partneri tregtar dhe donatori më i madh i Kosovës. Aty jeton pjesa më e madhe e diasporës, dhe që nga janari 2024 kosovarët udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Një shtet i vogël, që ende nuk njihet nga të gjithë, nuk ka si të fitojë duke u grindur me mbështetësit e vet më të mëdhenj.

Prandaj, Kosova duhet ta rindërtojë sa më shpejt bashkëpunimin me BE-në dhe ShBA-në. Sovraniteti mbrohet më mirë kur aleatët kanë interes për suksesin tënd. Përndryshe, Kosova rrezikon të mbetet tokë e kontestuar, ku fuqitë e tjera do të kërkojnë vendin e tyre në hartën e re të botës.

Bilanci

Amerika po tërhiqet, Rusia po shtyn përpara dhe Kina po blen ndikim. Evropa e ka kuptuar me vonesë që duhet të mbrohet vetë, por është ende e pranishme dhe e fortë. Mes gjithë kësaj, ne kemi një dritare mundësish që nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë.

Palmerstoni kishte të drejtë se fuqitë ndjekin interesat e veta. Edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë, dhe sot interesi ynë quhet Bashkimi Evropian. Historia nuk do të presë derisa të jemi gati: ose do të jemi në tryezë kur vizatohet harta, ose do të na e vizatojnë të tjerë. /Telegrafi/

Komentet