Pas një mbrëmjeje të suksesshme në Cyrih, ku publiku përjetoi emocionet e një udhëtimi muzikor mes pasionit dhe origjinës, tenori i mirënjohur ndërkombëtarisht Rame Lahaj vazhdon turneun e tij “Passion & Origin”, me dy ndalesat e radhës në Duseldorf, me 30 tetor, dhe në Vjenë, me 8 nëntor 2026.
“Passion & Origin” është më shumë se një koncert. Është një rrëfim muzikor që ndërthur emocionet universale të muzikës me rrënjët dhe identitetin shqiptar.
Përmes një repertori të pasur, ku këngët ikonike shqiptare takohen me meloditë më të dashura të muzikës ndërkombëtare, Rame Lahaj sjell një eksperiencë artistike që kapërcen kufijtë gjuhësore dhe kulturore.

I shoqëruar nga ARMA Ensemble dhe muzikantë të tjerë, tenori sjell në skenë një interpretim intim dhe plot emocion, duke krijuar një urë mes traditës shqiptare dhe repertorit botëror.
Turneu është njëkohësisht një ftesë për diasporën shqiptare që të rilidhë emocionet me vendlindjen, por edhe një mundësi për publikun ndërkombëtar që të zbulojë pasurinë e trashëgimisë sonë muzikore.
Ndalesat e radhës:
Duseldorf | 30 tetor 2026, ora 20:30 – Robert Schumann Saal
Vjenë | 8 nëntor 2026, ora 19:00 – Wiener Konzerthaus, Großer Saal
Për bileta dhe informacione të mëtejshme, vizitoni www.ramelahaj.com





