SHBA-ja po shqyrton mundësinë e përdorimit të “nënës së të gjitha bombave” kundër Iranit – CNN sjell detaje

Bota

Ushtria amerikane ka hartuar plane të reja sulmi, të cilat përfshijnë mundësinë e përdorimit të të ashtuquajturës “nëna e të gjitha bombave” kundër infrastrukturës energjetike dhe objekteve bërthamore iraniane, nëse presidenti Donald Trump jep urdhrin për rifillimin e operacioneve luftarake — qoftë para apo pas zgjedhjeve të mesmandatit. Kështu, siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, bëjnë […]

Madhësia e shkronjave

Ushtria amerikane ka hartuar plane të reja sulmi, të cilat përfshijnë mundësinë e përdorimit të të ashtuquajturës “nëna e të gjitha bombave” kundër infrastrukturës energjetike dhe objekteve bërthamore iraniane, nëse presidenti Donald Trump jep urdhrin për rifillimin e operacioneve luftarake — qoftë para apo pas zgjedhjeve të mesmandatit.

Kështu, siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, bëjnë të ditur disa zyrtarë amerikanë të njohur me çështjen.

Dhe sipas CNN, përdorimi i bombës GBU-43/B (e njohur si MOAB) — bomba më e madhe jo-bërthamore në arsenalin amerikan — në konfliktin me Iranin do të shënonte një përshkallëzim të konsiderueshëm.

Megjithatë, burime të shumta të njohura me diskutimet e brendshme ushtarake shprehin dyshime mbi efektivitetin e një arme të tillë për arritjen e objektivave strategjike të Trumpit, apo për ndryshimin e rrjedhës së luftës.

Trump ndodhet nën presion për t’i dhënë fund një lufte “tejet jopopullore”, ndërsa republikanët përgatiten për pasoja të mundshme politike nga votuesit në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit.

Për më tepër, nuk ka shenja se të dyja vendet janë pranë një zgjidhjeje me anë të negociatave, pas më shumë se gjashtë muajsh bombardime amerikane.

Ndërsa ushtria amerikane vazhdon t’i ofrojë Trumpit opsione për sulme të mundshme ndaj objektivave iraniane, disa zyrtarë pyesin privatisht nëse Shtëpia e Bardhë ka një strategji që i përfshin këto plane në një mënyrë që mund t’i japë fund luftës — një hap që mund ta ndërmarrë vetëm presidenti.

Prej muajsh, Trumpi dhe këshilltarët e tij kanë diskutuar opsione që mund të shërbenin si një fund “përfundimtar” i luftës — të paktën në nivelin e mesazhit publik — duke qenë të vetëdijshëm se sa jopopullor është bërë ky konflikt në sytë e amerikanëve.

Edhe pse disa figura të administratës e kanë cilësuar luftën si të fituar, Trumpi ka qenë më i rezervuar në deklaratat e fundit; ai nuk e ka shpallur fitoren, duke u shprehur se SHBA-ja ka ende çështje të pambyllura në atë vend.

Në prapaskenë, Trumpi ka shprehur gjithashtu dyshime ndaj disa aleatëve të jashtëm, të cilët e kanë inkurajuar atë thjesht t’i kthejë trupat amerikane në shtëpi dhe ta mbyllë këtë kapitull.

Sipas Trumpit, një veprim i tillë do të dukej si humbje, shkruan më tej CNN.

Siç thuhet më tej, gjatë javëve të fundit, këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë kanë zhvilluar takime për të diskutuar opsione të ndryshme lidhur me Iranin.

Ndërsa Trump njoftoi publikisht se nuk do të ndërmerrte veprime të reja para zgjedhjeve të mesit të mandatit, disa këshilltarë thanë privatisht se nuk e dinin nëse kjo deklaratë ishte përfundimtare apo mund të ndryshonte para Ditës së Zgjedhjeve.

Trump i ka urdhëruar ushtrisë të zhvillojë paketa shtesë sulmesh kundër objektivave iraniane që përfshijnë “shumë infrastrukturë energjitike” dhe përdorimin e mundshëm të një MOAB, tha një nga burimet për CNN.

I njëjti burim theksoi se fraza e përdorur ishte se ky sulm do të vinte “para se SHBA të tërhiqet në CENTCOM AOR (zona e përgjegjësisë)”, duke treguar se administrata mund të nisë sulmet shtesë, të përpiqet të shpallë fitoren dhe të tërheqë shpejt të gjithë.

Një burim i dytë i tha CNN se planet ushtarake për të goditur vendet bërthamore iraniane, përfshirë Malin Pickaxe, gjithashtu kërkojnë në mënyrë të qartë përdorimin e MOAB.

Në muajt e fundit, Trump ka kërcënuar vazhdimisht të godasë Pickaxe, ku SHBA-të dhe Izraeli besojnë se Teherani ka ruajtur komponentë të programit të tij bërthamor, edhe pas ndërprerjes së operacioneve të plota luftarake në fillim të këtij viti, dhe Trump vazhdon të theksojë se qëllimi i tij është të sigurojë që Irani të mos pajiset kurrë me një a*** b*********. /Telegrafi/

Komentet