Pavarësisht fillimit jo të mirë, Drita ka për synim vetëm që ta fitojë titullin kampion, kështu ka deklaruar kapiteni Besnik Krasniqi në një intervistë për Telegrafin.
“Intelektualët” e nisën zbehet kampionatin shkaku që edhe po luftonin për të siguruar një vend në Ligën e Konferencës, por tani ka situata ka ndryshuar dhe kjo u “vulos” në fitoren ndaj Ballkanit.
Mbrojtësi i djathtë që po vazhdon të jetë kyç që sa vite te Drita, pra Besnik Krasniqi iu ka premtuar tifozëve se do të punojnë fortë për ta ruajtur epitetin e kampionit të Kosovës.
“S’e kemi filluar në mënyrën më të mirë, por kjo nuk duhet të na dëshpërojë. Duhet të vazhdojmë të bëjmë paraqitje sa më të mira dhe të marrim fitore”.
“Si gjithmonë dihet që Drita lufton për titull dhe e gjithë skuadra e di se duhet ta mbrojmë titullin kampion. Do punojmë shumë për ta arritur objektivin”.
Krasniqi, ishte heroi i Dritës në fitoren e vështirë ndaj rivalit Ballkani, ku realizoi në minutat shtesë për t’ia siguruar gjilanasve pikët e plota.
Sidoqoftë, si një kapiten i vërtetë, ai bëri të qartë se më shumë iu gëzua triumfit se golit, kurse ka besim te skuadra që do ta arrijnë objektivin në fund.
“Jam më shumë i gëzuar për pikët se për golin personal. Kemi zhvilluar super paraqitje, krijuam shumë raste dhe besuam deri në fund që do t’i sigurojmë tre pikë”.
“Objektivi i Dritës është objektivi kampion dhe besoj se kemi gjithçka për t’ia dalë në fund”.
I pyetur se kë e sheh më rival për titull, Krasniqi përmendi emrat e Prishtinës, Dukagjinit dhe Malishevës, klube që e kanë nisur për mrekulli sezonin duke qenë në pjesën e epërme të tabelës.
“Në këto tetë xhiro kanë bërë shumë mirë Prishtina, Dukagjini, Malisheva… por deri në fund do të jetë një luftë e fortë për titullin kampion prej të gjithë këtyre skuadrave”.
Çuditërisht, Drita ka vetëm një fitore këtë edicion si vendas. Megjithatë, 36-vjeçari nënvizoi se nuk do të lëshojnë më pikë për t’i pasur sërish ndeshjet si nikoqir si “armën” më të fortë.
“Këto nuk duhet të na ndodhin sepse arma jonë më e fortë gjithmonë ka qenë ndeshjet si vendas. I kemi fituar gjithnjë dhe nuk duhet më të lejojmë që të lëshojmë pikë”, përfundoi Krasniqi.
Ndërkohë, Drita aktualisht ka 14 pikë në elitën e futbollit kosovar, pesë pikë më pak se liderët Malisheva e Prishtina. Përndryshe, në vikend do të përballen me Llapin./Telegrafi/






