Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadore Eleni Vakali, ka njoftuar përfundimin e mandatit të saj në Kosovë, pas pothuajse katër vjetësh e gjysmë në këtë detyrë.
Në një mesazh të publikuar në faqen zyrtare të përfaqësisë greke në Kosovë, Vakali ka falënderuar qytetarët për mikpritjen, miqësinë dhe bashkëpunimin gjatë qëndrimit të saj, shkruan Telegrafi.
“Sot përfundon një kapitull i veçantë për mua. Po largohem nga Kosova, pas pothuajse katër vjetësh e gjysmë në pozitën e shefes së Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Prishtinë. Marr me vete përvoja të çmuara dhe kujtime të bukura nga bashkëpunimet dhe miqësitë që nuk do t’i harroj kurrë. Ju faleminderit të gjithëve”, ka shkruar ajo, transmeton Telegrafi.

Diplomatja greke ka shprehur mirënjohjen për gatishmërinë e njerëzve në Kosovë për diskutime të hapura dhe bashkëpunim të frytshëm.
“Duke përfunduar mandatin tim në Kosovë, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen njerëzve në Kosovë që më mirëpritën, më nderuan me miqësinë e tyre dhe ishin gjithmonë të gatshëm e të etur për diskutime të hapura dhe bashkëpunim të frytshëm”, ka shkruar Vakali në faqen zyrtare të përfaqësisë greke.
Ajo e ka përmbyllur mesazhin e lamtumirës duke shprehur shpresën për takime të sërishme në të ardhmen.
“Shpresoj sinqerisht dhe besoj vërtet se rrugët tona do të kryqëzohen përsëri”, është shprehur ajo.
Ndryshe, Greqia është njëra nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, gjatë viteve të fundit është zgjeruar bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe turizmit.
Përveç Greqisë, katër shtetet e tjera të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja./Telegrafi/.





