Elek largohet nga Kuvendi i Kosovës, konfirmoi anëtarësimin në partinë e Vuçiqit gjatë një debati në kuadër të fushatës zgjedhore në Serbi

Nacionale

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Në vend të tij, mandatin e ka marrë Ivica Ceniq, nga i njëjti subjekt politik, i cili ka bërë betimin në seancën e sotme, shkruan Telegrafi. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Elek e kishte paraqitur […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Në vend të tij, mandatin e ka marrë Ivica Ceniq, nga i njëjti subjekt politik, i cili ka bërë betimin në seancën e sotme, shkruan Telegrafi.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Elek e kishte paraqitur dorëheqjen më 28 shtator.

“Ju njoftoj se deputeti Zllatan Elek më 28 shtator e ka paraqitur dorëheqjen nga pozita e deputetit”, ka deklaruar Haxhiu.

Largimi i tij nga Kuvendi vjen në kohën kur Elek është përfshirë në debatet e fushatës zgjedhore në Serbi.

Sipas mediave në gjuhën serbe, gjatë një debati për shëndetësinë në televizionin Nova, ku përfaqësonte listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, ai ka konfirmuar anëtarësimin në Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

“Unë jam anëtar i Partisë Përparimtare Serbe”, ka deklaruar Elek, duke pohuar gjithashtu se nuk ishte më deputet i Kuvendit të Kosovës.

Deklarata për mandatin e tij kishte nxitur pikëpyetje në mediat në gjuhën serbe, pasi emri i Elekut vazhdonte të figuronte në faqen zyrtare të Kuvendit.

Megjithatë, në seancën e sotme është konfirmuar se Elek e kishte paraqitur dorëheqjen më 28 shtator.

Ndërkohë, gjatë debatit në televizionin Nova është ngritur edhe çështja e anëtarësimit të Elekut në SNS, partinë e Vuçiqit, krahas drejtimit të Listës Serbe, duke iu referuar kufizimeve në statutet e dy partive.

Elek e ka arsyetuar këtë me faktin se Lista Serbe merr pjesë në sistemin zgjedhor të Kosovës, ndërsa SNS-ja në atë të Serbisë. /Telegrafi/

Komentet