Presidenti amerikan, Donald Trump, ka komentuar dorëheqjen e Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, duke thënë se ajo nuk ishte pjesë e familjes së tij, pavarësisht lidhjes së mëparshme me djalin e tij, Donald Trump Jr.
“Kimberly Guilfoyle nuk ishte anëtare e familjes sime. Mendoj se ajo ishte në lidhje me djalin tim shumë kohë më parë, por nuk ishte pjesë e familjes”, ka deklaruar ai.
Lideri amerikan tha se Guilfoyle po bënte një punë të mirë, por pranoi se kishte pakënaqësi lidhur me informacionet që po lexonin.
E dërguara e Trumpit e paralajmëroi ministrin grek se SHBA-ja mund të rrëzojë “çdo vend që duam”

“Ajo po bënte një punë të mirë, por nuk na pëlqeu ajo që po lexonim”, u shpreh 80-vjeçari.
Guilfoyle njoftoi dorëheqjen të martën, mes akuzave për sjellje të papërshtatshme, të cilat i ka mohuar, duke premtuar se do të mbrohet fuqishëm ndaj tyre.
Ndryshe, sipas raportimeve të The Wall Street Journal dhe CBS News, biznesmeni Eric Deters pretendon se Guilfoyle i kërkoi t’i paguante një faturë prej 100 mijë dollarësh të kartës së saj American Express, në korrik 2025, pak para seancës së konfirmimit të saj në Senatin amerikan.
Deters pretendon se ajo i kishte ofruar qasje te zyrtarë të administratës Trump në këmbim të ndihmës financiare. Ai nuk pranoi ta kryente pagesën.
Sipas raportimeve, Guilfoyle dyshohet se ka promovuar interesat e kompanisë greke të ndërtimit dhe energjisë Aktor, ndërsa lobisti i saj thuhet se ka pasur qasje në takime private diplomatike.
Raportimet kanë ngritur pikëpyetje nëse ajo e ka përdorur pozitën diplomatike për të favorizuar interesa private.
Raportimet kanë përfshirë akuza për pranimin e dhuratave dhe shërbimeve të papërshtatshme, udhëtime me aeroplanë privatë dhe sjellje të papërshtatshme ndaj punonjësve të ambasadës amerikane në Athinë.
“Burri misterioz” që shoqëron ambasadoren amerikane ndërsa ajo promovon marrëveshje nëpër Evropë
Avokatët e saj i kanë kundërshtuar akuzat për shkelje, duke thënë se udhëtimet private ishin bërë në përputhje me udhëzimet dhe rregullat e Departamentit amerikan të Shtetit.
Një raportim pretendon se Guilfoyle kishte deklaruar në një pritje se SHBA-ja mund të ndërhynte për të minuar qeverinë greke nëse do ta konsideronte të nevojshme.
Po ashtu, janë ngritur dyshime për marrëdhëniet e saj me përfaqësues të interesave të biznesit. Këto pretendime janë pjesë e raportimeve mediatike dhe nuk duhen trajtuar si fakte të provuara. /Telegrafi/





