Senatorja amerikane Jeanne Shaheen dhe senatori Dick Durbin kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë vazhdimin dhe forcimin e partneritetit me Kosovën, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënieve politike.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), dy senatorët kanë folur për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, rifillimin e Dialogut Strategjik, aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, të ardhmen e kampit Bondsteel, raportet me Serbinë dhe procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Shaheen ka thënë se Kosova dhe SHBA-ja kanë ndërtuar një partneritet të rëndësishëm, i cili, sipas saj, duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ajo ka kujtuar vizitën e saj të parë në Kosovë, në përvjetorin e dytë të shpalljes së pavarësisë, duke theksuar se gjatë viteve ka parë zhvillimin e vendit dhe mbështetjen që qytetarët e Kosovës shprehin për Shtetet e Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë qenë partnerë të shkëlqyeshëm. Vizita ime e parë ka qenë këtu në përvjetorin e dytë të pavarësisë suaj. Dhe kudo që kemi shkuar, kemi parë flamuj amerikanë duke u valëvitur dhe sa e frymëzuar kam qenë kur e shihja atë për këtë lidhje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka deklaruar Shaheen.
Ajo ka mirëpritur edhe formimin e institucioneve të reja në Kosovë, duke e cilësuar këtë zhvillim të rëndësishëm për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Duam që ky partneritet të vazhdojë tutje”, ka theksuar senatorja amerikane.
Ndërkaq, për senatorin Dick Durbin, kjo ishte vizita e parë në Kosovë. Ai ka thënë se zhvillimet që ka parë gjatë qëndrimit të tij dëshmojnë për një partneritet të fortë ndërmjet dy vendeve.
“Senatorja Shaheen ka qenë udhëheqëse në Senat në këtë drejtim dhe kam punuar me të, por tashmë po e shoh drejtpërdrejt vetë gjithë zhvillimin dhe ndryshimet në një kohë kaq të shkurtër. Është dëshmi që partneriteti është i mirë dhe i fortë”, ka deklaruar Durbin.
Dialogu Strategjik dhe përfaqësimi diplomatik
Duke folur për kërkesën e Kosovës për rifillimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, Shaheen ka thënë se do ta mirëpriste një zhvillim të tillë.
Ajo ka përmendur ndryshimet në administratën amerikane dhe ka theksuar rëndësinë e emërimit të një ambasadori amerikan në Kosovë, në mënyrë që Uashingtoni të përfaqësohet në nivelin e duhur diplomatik.
Edhe Durbin ka vënë në pah rëndësinë e ambasadorëve në marrëdhëniet ndërmjet shteteve, duke vlerësuar se mungesa e përfaqësuesve diplomatikë të këtij niveli nuk e paraqet SHBA-në në mënyrën e duhur.
Anëtarësimi në NATO dhe e ardhmja e kampit Bondsteel
Sa i përket aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO, Shaheen ka shprehur shpresën që kjo të realizohet, duke theksuar rëndësinë e sigurisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ajo ka veçuar rolin e misionit të KFOR-it në garantimin e sigurisë në Kosovë, përfshirë mbrojtjen e kufijve të vendit.
“Unë shpresoj që po. Ajo që është me rëndësi për NATO-n, për gjithë sigurinë e Evropës dhe pastaj të këtij rajoni, një prej gjërave që u përmend nga kryeministri është siguria e kufijve të Kosovës dhe mendoj që NATO-ja ka pasur shumë rëndësi në këtë drejtim”, ka thënë Shaheen.
Ndërkaq, lidhur me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti që kampi Bondsteel të jetë bazë e përhershme ushtarake amerikane, Durbin ka deklaruar se propozimi duhet të merret seriozisht.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit me Kurtin janë diskutuar edhe pikat e cenueshme të sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ruajtjen e paqes, ndërsa prania e KFOR-it ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Shaheen për dialogun Kosovë-Serbi: Përparimi kërkon angazhimin e të dyja palëve
Senatorët amerikanë kanë folur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Shaheen ka thënë se përparimi në këtë proces kërkon përkushtimin e të dyja vendeve. Ajo ka treguar se ka zhvilluar takime dhe bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me synimin për të nxitur afrimin ndërmjet dy palëve.
Nga ana tjetër, Durbin ka shprehur dëshirën për përmirësimin e marrëdhënieve, por ka vlerësuar se, në rrethanat aktuale dhe në prag të zgjedhjeve, mundësitë për përparim të shpejtë janë të kufizuara.
“Duam të shoh përmirësime, por që në këto momente, aq të afërta me zgjedhjet, nuk është se shoh ndonjë potencial të madh”, ka deklaruar ai për RTK-në.
Gjykata Speciale dhe mundësia e apelit
Në intervistë është diskutuar edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përfshirë ndryshimet e propozuara në ligjin që rregullon funksionimin e tyre dhe mundësinë e procedurave të apelit ndaj aktgjykimit.
Shaheen ka thënë se nuk mund të komentojë amendamentet e propozuara, duke rikujtuar se Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe është mbështetur nga institucionet e vendit.
Ajo ka theksuar se është e rëndësishme të pritet zhvillimi i mëtejshëm i procesit gjyqësor, përfshirë procedurat e mundshme të apelit.
“Besoj që është me rëndësi të shohim se si ky proces do të vazhdojë tutje dhe, për aq sa di unë, mund të ketë edhe procedurë apeli të këtij aktgjykimi. Sigurisht që edhe procedura e apelit do të vazhdojë në mënyrë paqësore dhe t’i japë rezultatet që populli i Kosovës arrin ta kuptojë”, ka thënë Shaheen.
Edhe Durbin është pajtuar me këtë qëndrim, duke vlerësuar se çështjet që janë para gjykatës nuk duhet të komentohen dhe se ato duhet të trajtohen përmes procedurave të përcaktuara me ligj.
“Pajtohem me senatoren Shaheen, se nuk duhet të komentojmë çështje që janë para gjykatës dhe shpresoj që kjo të zgjidhet përmes juridiksionit të krijuar me ligj, në mënyrë paqësore në të gjitha nivelet”, ka deklaruar ai.
Mesazhi për Kosovën
Në përmbyllje të intervistës, Shaheen ka përsëritur se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara ka qenë i rëndësishëm për të dyja vendet dhe se Uashingtoni synon vazhdimin e tij.
Ajo ka vënë në pah rëndësinë e aspiratave të Kosovës për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ndërsa të dy senatorët kanë shprehur mbështetjen për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Shaheen dhe Durbin po e përmbyllin vizitën e tyre në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës kanë zhvilluar takime edhe në vende të tjera të rajonit.





