Dashamirët e librit patën mundësinë të njihen më nga afër me romanin “Mbi hijet e Kullës Eiffel”, nga autorja Dafina Mamusha Roka, gjatë promovimit të organizuar në ambientet e librarisë “Dukagjini”.
Përmes këtij takimi letrar, autorja ndau me të pranishmit rrugëtimin krijues, frymëzimin dhe mesazhet që përcjell vepra e saj më e re, e cila trajton sfidat, qëndrueshmërinë dhe fuqinë e gruas për t’u përballur me vështirësitë e jetës.
Romani vjen si libri i dytë i autores, pas veprës së saj të parë, “Kujtimet e dallgëve blu”.
Këtë herë, Dafina Mamusha Roka sjell në qendër të rrëfimit Klean, një grua, jeta e së cilës merr një kthesë të papritur që në ditën e parë të martesës, kur ajo braktiset nga bashkëshorti.
Pikërisht kjo përvojë e dhimbshme bëhet pikënisja e një rrugëtimi të vështirë, por edhe e një historie që synon të përcjellë forcë, guxim dhe shpresë për të gjitha gratë që përballen me sfida të ngjashme.
Autorja tregoi se frymëzimi për shkrimin e romanit ka ardhur nga ngjarjet e përditshme, shqetësimet e brendshme dhe dëshira për të sjellë një histori që nxit reflektim dhe motivim.
“Mbi hijet e Kullës Eiffel”, romani i Dafina Mamusha Rokës që sjell një mesazh force dhe shprese për gratë telegrafi.com
“Shoqëria apo ngjarjet e përditshme janë ato që na nxisin drejt shkrimit. Edhe shqetësimi i brendshëm është ai që të shtyn të shkruash, të sjellësh diçka të re apo motivuese. Sfida dhe rrugëtimi i vështirë i personazhit kryesor më kanë nxitur të shkruaj dhe të sjell diçka motivuese për të gjitha gratë”, u shpreh Roka.
Ngjarjet e romanit zhvillohen kryesisht në Paris, një qytet që për autoren ka qenë prej kohësh një ëndërr për t’u vizituar.
Megjithatë, përtej simbolikës së qytetit dhe hijes së Kullës Eiffel, në qendër të veprës qëndron historia e Kleas, përmes së cilës autorja trajton braktisjen, dhimbjen dhe përpjekjen për të gjetur forcën për të vazhduar përpara.
“Mesazhi kryesor është se nuk duhet të zhytemi në rrethin e dëshpërimit. Çfarëdo që të na ndodhë, nuk duhet të dorëzohemi, sepse në fund të çdo tuneli ka një dritë”, theksoi autorja.
Vlerësime për romanin dhe tematikën e tij ndau edhe recensentja e librit, njëherësh profesoreshë e letërisës, Gentiana Muhaxhiri e cila e cilësoi veprën si një prurje të re në letërsinë shqipe, me një histori që trajton një realitet të njohur në shoqërinë tonë, por që jo gjithmonë është trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Sipas saj, romani ndërthur karakterin shoqëror me nuanca filozofike, duke vënë në pah fatin e gruas shqiptare dhe nevojën që zëri i saj të dëgjohet.
“Është një roman që trajton fatin e femrës shqiptare, por edhe fatin e një femre që ka zë dhe bëhet zëri i të gjitha atyre grave që nuk kanë arritur ta tregojnë forcën e tyre. Fatkeqësia i ka shtypur dhe i ka frenuar ato të jetojnë ashtu siç dëshirojnë. Ky personazh sjell një zë ndryshe në letërsinë tonë. Romani lexohet me një frymë”, u shpreh Muhaxhiri.
Përmes personazhit të Kleas, Dafina Mamusha Roka synon të përcjellë mesazhin se vështirësitë, sado të rënda të jenë, nuk duhet të përcaktojnë të ardhmen e njeriut. Përkundrazi, ato mund të shndërrohen në pikënisje për një rrugëtim të ri, drejt rimëkëmbjes dhe vetëbesimit.
Promovimi i romanit “Mbi hijet e Kullës Eiffel” solli kështu një tjetër takim mes autores dhe lexuesve, duke hapur hapësirë për diskutime mbi letërsinë, përvojat njerëzore dhe rolin e gruas në shoqëri.
Një vepër që, përmes historisë së një gruaje, synon t’u kujtojë lexuesve se edhe pas braktisjes, dhimbjes dhe zhgënjimit, ekziston gjithmonë mundësia për të rifilluar.
Ndryshe, libri është botuar nga shtëpia botuese “Dukagjni”, në kuadër të botimeve “Lekë”. /Telegrafi/






