Pse miliardat e shpenzuara për sigurinë nuk po e mbrojnë Arabinë Saudite nga Huthët?

Bota

Arabia Saudite shpenzon dhjetëra miliarda dollarë çdo vit për mbrojtjen, por pavarësisht investimeve të mëdha, vazhdon të përballet me vështirësi në mbrojtjen e infrastrukturës kyçe nga raketat dhe dronët e lëshuar nga rebelët Huthi në Jemen. Edhe pse mbretëria ka blerë sisteme moderne amerikane dhe evropiane të armatimit dhe ka ndërtuar një rrjet shumështresor të […]

Madhësia e shkronjave

Arabia Saudite shpenzon dhjetëra miliarda dollarë çdo vit për mbrojtjen, por pavarësisht investimeve të mëdha, vazhdon të përballet me vështirësi në mbrojtjen e infrastrukturës kyçe nga raketat dhe dronët e lëshuar nga rebelët Huthi në Jemen.

Edhe pse mbretëria ka blerë sisteme moderne amerikane dhe evropiane të armatimit dhe ka ndërtuar një rrjet shumështresor të mbrojtjes ajrore, javën e kaluar aeroporti kryesor në Riad u vu në shënjestër të sulmeve vdekjeprurëse.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Arabia Saudite shpenzoi 83 miliardë dollarë për mbrojtjen vitin e kaluar, duke u renditur ndër dhjetë vendet me buxhetet më të mëdha ushtarake në botë, shkruan CNN.

(Pa)fuqia e sauditëve

Ushtria saudite duhet të mbrojë një territor të gjerë, me sipërfaqe sa rreth një e pesta e asaj të Shteteve të Bashkuara, ndërsa kërcënimet vijnë nga tri drejtime të ndryshme.

Nga lindja, Irani lëshoi rreth 1,000 raketa dhe dronë gjatë fazës më intensive të konfliktit këtë vit. Nga veriu, milicitë irakiane të mbështetura nga Teherani përdorin dronë për të sulmuar infrastrukturën kryesore të naftësjellësit Lindje-Perëndim. Ndërkaq, nga jugu, rebelët Huthi, të mbështetur gjithashtu nga Irani, lëshojnë raketa nga sistemet mobile të fshehura në malet e Jemenit.

Përballë këtyre kërcënimeve, sistemet saudite të mbrojtjes duhet ta zbulojnë rrezikun brenda pak çastesh, të vlerësojnë nëse është e nevojshme ta neutralizojnë dhe të paralajmërojnë civilët. Megjithëse arrijnë të interceptojnë një numër të madh raketash, disa prej tyre përsëri depërtojnë përmes mbrojtjes ajrore.

Një burim saudit thotë se Ministria e Mbrojtjes po përballet me vendime të vështira për vendosjen e sistemeve mbrojtëse, pasi shumë lokacione strategjike mbeten të ekspozuara ndaj sulmeve.

Aftësitë e Huthëve

Huthët përdorin një kombinim të raketave balistike, raketave të lundrimit dhe dronëve me rreze të gjatë veprimi, me synimin për të kapërcyer mbrojtjen ajrore saudite. Kjo strategji i ngjan taktikës së Rusisë në Ukrainë, ku përdoren lloje të ndryshme armësh për ta vënë në vështirësi sistemin mbrojtës të kundërshtarit.

Raketat e lundrimit fluturojnë në lartësi të ulëta, çka e vështirëson zbulimin dhe gjurmimin e tyre nga radarët. Ndërkohë, Huthët kanë filluar të përdorin edhe një gjeneratë të re raketash balistike, për të cilat pretendojnë se mund të ndryshojnë drejtim gjatë fluturimit.

Tetë vjet më parë, ekspertët e Kombeve të Bashkuara identifikuan në Jemen mbetje raketash dhe pajisjesh ushtarake me origjinë iraniane, të cilat kishin mbërritur në vend pavarësisht embargos së armëve. Dy vjet më parë, i njëjti panel publikoi një raport ku theksohej se transferimi i pajisjeve dhe teknologjisë ushtarake te Huthët kishte arritur përmasa të paprecedenta.

Pse Houthët po sulmojnë aeroportet saudite dhe pse Riadi nuk mundi t’i ndalonte raketat?

Ekspertët theksojnë se raketat më të avancuara të Huthëve, si Hatem-2 dhe Palestine-2, kanë ngjashmëri të mëdha në dizajn me armët iraniane.

Vitin e kaluar, një raketë e lëshuar nga Huthët arriti t’i shmangej sistemeve izraelite të mbrojtjes ajrore dhe ra pranë aeroportit Ben Gurion në Izrael.

Analisti Amir Bar Shalom deklaroi atëherë për CNN se raketat ishin shumë të sakta, duke e cilësuar mbresëlënëse arritjen e një saktësie të tillë nga një distancë prej 2000 kilometrash.

A do t’i binden Teheranit?

Huthët kanë qenë prej kohësh pjesë e të ashtuquajturit “boshti i rezistencës” të Iranit, por dobësimi i grupeve të tjera aleate të Teheranit i ka bërë ata gjithnjë e më të fuqishëm. Megjithëse mbajnë lidhje të ngushta me Iranin, Huthët ndjekin edhe objektivat e tyre politike dhe ushtarake.

Konflikti shtatëvjeçar me Arabinë Saudite, i cili zgjati nga viti 2015 deri më 2022, shkaktoi vuajtje të mëdha në zonat e Jemenit nën kontrollin e Huthëve. Ndërkohë, kufizimet ekonomike dhe ato të transportit ndaj këtyre zonave vazhdojnë ende.

Në këtë kontekst, Huthët sulmuan anijet saudite në Detin e Kuq në korrik, duke nxitur më pas një fushatë sulmesh me raketa. Ata kërkojnë ndërprerjen e sulmeve ajrore saudite dhe miliarda dollarë dëmshpërblim.

Arabia refuzoi ofertën e Netanyahut që Izraeli të luftojë kundër Huthëve në Jemen

Irani është ofruar të ndërmjetësojë mes palëve. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi të hënën se Teherani është i gatshëm të ndihmojë në krijimin e kushteve për nisjen e negociatave.

Mohammed al-Bukhaiti, anëtar i zyrës politike të Huthëve, pretendoi se Riadi kishte pranuar ndërmjetësimin, por se grupi i tij kishte refuzuar propozimet për një armëpushim afatshkurtër.

“Kjo betejë është ndryshe nga ato të mëparshmet. Çdo ditë që kalon gjatë kësaj përballjeje do ta zgjerojë konfliktin dhe do t’i thellojë humbjet. Një marrëveshje që mund të arrihet sot, nesër mund të bëhet e vështirë ose e pamundur”, deklaroi al-Bukhaiti.

Sulmi i Huthëve ndaj aeroportit në Riad. Pamje nga videoja e publikuar në rrjetin social X.

Mbretëria përballet me vendime të vështira

Arabia Saudite po përpiqet të ruajë përshtypjen se situata në vend është normale. Javën e kaluar, shërbimi i mbrojtjes civile ndërpreu dërgimin e paralajmërimeve për sulme të mundshme në telefonat e qytetarëve, pak para sulmeve vdekjeprurëse ndaj aeroportit në Riad.

Megjithatë, njoftimet paralajmëruese janë rikthyer, konfirmuan për CNN disa banorë të kryeqytetit saudit. Një shtetas i huaj që jeton në Riad tha se ishte zemëruar të shtunën për shkak të mungesës së njoftimeve automatike, por se deri të hënën sistemi kishte rifilluar funksionimin.

Egjipti zotohet për “çdo lloj mbështetjeje” për Arabinë Saudite pas sulmeve të grupit Houthi

Ai shprehu gjithashtu pakënaqësi për mungesën e reagimit të autoriteteve lidhur me sulmet.

Arabia Saudite tani përballet me një zgjedhje të vështirë. Një marrëveshje me Huthët do të ishte shumë jopopullore, veçanërisht pas viktimave civile, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit rrezikon të shkaktojë sulme të tjera me raketa.

Një situatë e tillë mund të rrezikojë planet e princit të kurorës, Mohammed bin Salman, për ta shndërruar vendin në një qendër globale të investimeve, teknologjisë dhe turizmit. Një ngjarje e madhe për investime, e planifikuar për në fund të muajit, synonte të tërhiqte investitorë të huaj. Megjithatë, korporatat e mëdha tashmë e kanë shmangur pjesëmarrjen në Kongresin Botëror të Naftës, i cili mbahet këtë javë në Riad.

Arabia Saudite kërkon mbështetje

Një ofensivë tokësore kundër Huthëve duket pak e mundshme, pasi ata janë të fortifikuar mirë, kanë përvojë të gjatë luftarake dhe e njohin terrenin malor të Jemenit. Gjatë muajit të fundit, ata u kanë shkaktuar humbje të rënda forcave qeveritare.

Aktualisht, Huthët janë në ofensivë. Sipas një raporti të Institutit për Studimin e Luftës (ISW), ata kanë rrethuar qytetin e Taizit, qytetin e tretë më të madh në Jemen.

Arabia Saudite po përpiqet të krijojë një koalicion ndërkombëtar për t’u përballur me kërcënimin e Huthëve. Pakistani ka dërguar mijëra ushtarë si përforcim, ndërsa Egjipti ka ofruar mbështetjen e tij.

Pse po luftojnë Houthët dhe Arabia Saudite dhe si lidhet konflikti me luftën në Iran?

Mbretëria saudite mund të blejë gjithashtu sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, por edhe Shtetet e Bashkuara po përballen me mungesë të këtyre sistemeve.

Ndërkohë, me zgjedhjet e mesmandatit në SHBA që do të mbahen pas tri javësh, presidenti amerikan, Donald Trump po tregohet i kujdesshëm ndaj përfshirjes në një tjetër angazhim ushtarak në Lindjen e Mesme.

Michael Ratney, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, vlerëson se hezitimi i SHBA-së për t’u përfshirë më drejtpërdrejt në konflikt po e forcon perceptimin se Uashingtoni e ka braktisur partnerin e tij saudit.

Ratney, ish-ambasador i SHBA-së në Riad, tha se Arabia Saudite është nën sulm dhe, për arsye politike, duhet të kundërpërgjigjet. Megjithatë, sipas tij, në fund palët duhet t’i rikthehen diplomacisë, e cila mund të çojë drejt uljes së tensioneve.

“Kjo mund të nënkuptojë se Huthët do të mbeten në pushtet, madje në një pozitë edhe më të fortë”, thuhet në vlerësimin e tij. /Telegrafi/