Vrasësi që tronditi Rusinë dyshohet se ka vdekur në burg, pasi u dënua me 23 vjet për vrasjen brutale të një gruaje dhe vajzës së saj pesëvjeçare.
Farhod Rakhimzoda, 33 vjeç, i njohur në sportet luftarake me nofkën “Syri i Tigrit”, dyshohet se ka vrarë Olga Yaroslavtsevën, 39 vjeçe, dhe vajzën e saj të vogël, pasi i kishte joshur të udhëtonin me të në taksinë që drejtonte.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 20 janar 2024 në Novosibirsk të Rusisë. Sipas raportimeve, Rakhimzoda e dërgoi gruan në një vend të izoluar, ku e goditi disa herë me thikë për vdekje, në praninë e vajzës së saj.
Më pas, ai dyshohet se voziti përreth me fëmijën pranë trupit të pajetë të nënës, përpara se ta mbyste edhe atë dhe t’i fshihte të dy trupat.
Sipas raportimeve të mediave lokale, motivi i krimit lidhej me paratë. Rakhimzoda dyshohet se kishte mësuar që Olga kishte trashëguar një shumë të konsiderueshme parash dhe kishte vendosur t’i vriste për të financuar blerjen e një shtëpie për familjen e tij.
Pas krimit, ai vodhi paratë, telefonin dhe veturën e viktimës, me vlerë të përgjithshme rreth 5.5 milionë rubla, apo afërsisht 49 mijë e 500 euro. Më pas, e shiti veturën.
Rakhimzoda u arrestua më 25 janar 2024, në kufirin mes Kazakistanit dhe Uzbekistanit, përpara se t’u dorëzohej autoriteteve ruse.
Në tetor të vitit 2025, Rakhimzoda u dënua me 23 vjet burgim për grabitje dhe vrasjen e dyfishtë.
Ndërkohë, mediat ruse kanë raportuar së fundmi se ai ka vdekur, me disa burime që pretendojnë se vdekja ka ndodhur gjatë vuajtjes së dënimit./Telegrafi/






