Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës.
“Me efekt të menjëhershëm, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës hyn në fuqi një armëpushim energjetik. Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
TRUMP: Announces immediate energy ceasefire between Russia and Ukraine, says both parties agreed and must not break it https://t.co/rUWLuYL6Eh
— Trump Truths (@trumptruthsbot) October 11, 2026
Deri në këtë moment, nuk ka pasur konfirmim të pavarur nga Moska apo Kievi se marrëveshja ka hyrë në fuqi.
Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi ishte i gatshëm të ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Moska ndalte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Ai theksoi se çdo ulje e tensioneve duhet të jetë reciproke dhe e mbështetur nga garanci.
Trump ka fajësuar luftën mes Rusisë dhe Ukrainës për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe jo konfliktin në vazhdim që përfshin Iranin.
Njoftimi erdhi pas marrëveshjes për furnizimin me naftë dizel, të cilën Trump e bëri të ditur të premten pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.
Sipas marrëveshjes, Moska ra dakord të furnizojë me karburant SHBA-në dhe tregjet globale.
Zelensky e kritikoi marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një “dhuratë” për Putinin.
Ai paralajmëroi se lehtësimi i kufizimeve për eksportet ruse të naftës dizel mund të ndihmojë në financimin e përpjekjeve luftarake të Moskës. /AA/






