Mazda duket se e ka kuptuar qartë se çfarë presin adhuruesit e MX-5 Miata nga gjenerata e ardhshme: jo një makinë më të rëndë dhe më të komplikuar, por një roadster të vogël, të lehtë dhe sa më analog.
Duke folur për CarExpert gjatë prezantimit në Australi të modelit elektrik CX-6e, drejtori i Mazda Australia, Vinesh Bhindi, tha se klientët nuk po kërkojnë një MX-5 elektrik.
“Nuk shohim shumë klientë që hyjnë në sallon dhe thonë: ‘Një MX-5 elektrike? Kjo do të ishte për mua’. Në këtë fazë, janë pronarët e MX-5 që pyesin: ‘Kur mund ta marr versionin e pastër analog të gjeneratës së ardhshme?’”, tha Bhindi.

Kjo kërkesë përputhet me filozofinë e MX-5, ku pesha e ulët, thjeshtësia mekanike dhe kënaqësia në drejtim kanë qenë gjithmonë më të rëndësishme sesa fuqia apo teknologjia e avancuar, transmeton Telegrafi.
Mazda ka bërë të ditur më herët se gjenerata e ardhshme mund të marrë një motor më të madh, konkretisht Skyactiv-Z 2.5-litërsh me aspirim natyral. Ky motor pritet të debutojë në CX-5 me një sistem hibrid të zhvilluar nga Mazda dhe më pas mund të përdoret edhe në MX-5.
Inxhinierët synojnë që roadster-i i ardhshëm të ketë një peshë rreth 1,000 kilogramë ose edhe më pak, por arritja e këtij objektivi mund të jetë e vështirë për shkak të rregullave gjithnjë e më të rrepta për emetimet.
Një hibrid plug-in duket pak i mundshëm, pasi bateria e madhe do të shtonte ndjeshëm peshën dhe do të krijonte probleme me hapësirën në një makinë kaq kompakte. Edhe një sistem hibrid i plotë nuk duket si zgjidhja ideale për karakterin e MX-5.
Një alternativë më e mundshme mund të jetë teknologjia mild-hybrid, e cila do t’i mundësonte Mazda-s të reduktonte emetimet pa sakrifikuar shumë nga pesha dhe karakteri i makinës. Kompania pritet gjithashtu të ruajë kambion manuale dhe tërheqjen me rrotat e pasme.
Megjithatë, një formë elektrifikimi mund të jetë e nevojshme në mënyrë që MX-5 të vazhdojë të shitet në tregjet kryesore. Në Evropë, gjenerata aktuale ND ka humbur tashmë motorin 2.0-litërsh, për shkak të rregullave më të rrepta të emetimeve, duke lënë klientët me njësinë 1.5-litërshe.
Deri tani nuk janë publikuar fotografi bindëse të prototipeve të gjeneratës së re, çka sugjeron se MX-5 i ri është ende disa vite larg prodhimit. Kjo i jep Mazda-s kohë të mjaftueshme për të gjetur mënyrën e duhur për të përmbushur kërkesat për emetime pa dëmtuar formulën që e ka bërë MX-5 një nga roadster-ët më të dashur.
Për momentin, mesazhi nga klientët duket i qartë: ata duan që Mazda ta ndryshojë sa më pak recetën e MX-5 – një makinë e lehtë, me motor me djegie, kambjo manuale, tërheqje në rrotat e pasme dhe, mbi të gjitha, kënaqësi në drejtim. /Telegrafi/





