Mërgim Vojvoda ka thënë se Kosova është e dëshpëruar pas barazimit 1-1 ndaj Austrisë, pasi sipas tij Dardanët patën mundësi të shënonin edhe golin e dytë dhe ta mbyllnin ndeshjen me fitore.
“Jemi të dëshpëruar, edhe pse patëm raste për 2:0. Nuk na deshi fati. Pranuam një gol dhe, siç e luajtën ata lojën, ashtu luajtëm edhe ne. Fati nuk ishte me ne”, deklaroi Vojvoda pas ndeshjes.
Mbrojtësi i Kosovës iu referua edhe rastit të madh pas golit të Fisnik Asllanit, kur Milot Rashica goditi shtyllën, ndërsa topi u kthye te këmbët e Veldin Hoxhës, por portieri austriak arriti të reagojë. “Ishte rast perfekt për 2:0. Miloti e bëri një aksion fantastik, mungoi fati, goditi shtyllën, topi u kthye te këmbët e Veldinit, por e priti portieri”, shtoi ai.
Vojvoda pranoi se Austria e tregoi edhe një herë se është një kombëtare e madhe, por beson se ky barazim mund t’i shërbejë Kosovës në vazhdim të garës. “Edhe e treguan vetë, janë një kombëtare e madhe. Na bën më të fortë kjo ndeshje, kur merr pikë ndaj një ekipi kaq të mirë. Kur merr pikë, të bën të ndihesh më mirë”, u shpreh ai.
Kosova tani do ta kthejë vëmendjen te dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit dhe Irlandës, në muajin nëntor. “Të gjithë do ta marrim parasysh këtë pikë dhe me dy lojërat në nëntor duhet të shkojmë për fitore ndaj Izraelit dhe pastaj në Irlandë”, tha Vojvoda.
Në fund, ai theksoi se skuadra ka treguar karakter gjatë këtij cikli të ngjeshur, duke pasur parasysh se ka luajtur katër ndeshje brenda dhjetë ditësh, ndërsa shumë lojtarë të rinj kanë debutuar.
“Mundemi të bëjmë gjithmonë më mirë. Nuk është lehtë t’i luash katër lojëra për dhjetë ditë, duhet të kesh ekip të madh. Jemi kombëtare e re, me debutime. Ka gjëra pozitive, por duhet të mësojmë. Në ato dy lojë duhet t’i bëjmë dhe të jemi pa lëndime”, përfundoi Vojvoda. /Telegrafi/






