Ish-reprezentuesi i Brazilit, Alexandre Pato, beson se Endrick duhet të largohet nga Real Madridi për të gjetur më shumë hapësira dhe për të vazhduar zhvillimin e tij.
E ardhmja e sulmuesit brazilian te Real Madridi është vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, me spekulimet për një largim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit.
Pato mendon se mungesa e një roli të qartë në skuadrën madrilene mund ta detyrojë Endrickun të kërkojë një klub të ri, ndërsa theksoi se 19-vjeçari duhet të marrë më shumë kontroll mbi vendimet për të ardhmen e tij.
“Mendoj se atij i duhet një ndryshim, sepse nuk është e lehtë të gjesh një vend për të te Real Madridi. Nuk e di se çfarë mendon ai për këtë, por nuk mund ta lërë gjithmonë vendimin në duart e agjentëve të tij. Sipas mendimit tim, ai duhet të kërkojë një klub tjetër”, deklaroi Pato në një festival sportiv në Trento.
Pato zbuloi gjithashtu se Milani kishte tentuar ta transferonte Endrickun gjatë afatit kalimtar të verës, por nuk kishte arritur ta bindte Real Madridin për një marrëveshje.
“E di se Cardinale u përpoq ta sillte te Milani, por nuk ia doli. Ai gjithmonë mendon për të mirën e Milanit. Folëm shkurtimisht në Kopenhagë para disa ditësh. Ai e do shumë Milanin dhe do të bëjë gjithçka që mundet për klubin”, shtoi ish-sulmuesi brazilian./Telegrafi/






