Kosova është shndërruar në një kundërshtar shumë të vështirë kur luan para tifozëve të saj, ndërsa statistikat e 13 ndeshjeve të fundit në shtëpi e dëshmojnë më së miri këtë.
Në 13 ndeshjet e fundit të zhvilluara në shtëpi, “Dardanët” kanë regjistruar 9 fitore, 2 barazime dhe vetëm 2 humbje, një bilanc që tregon qartë forcën e ekipit të Franco Fodës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Gjatë kësaj periudhe, Kosova ka mposhtur kundërshtarë si Izraeli, Qiproja, Lituania, Islanda, Armenia, Komoret, Suedia, Andorra dhe Irlanda.
Në mesin e këtyre rezultateve bien në sy fitoret ndaj Suedisë me rezultat 2-0 dhe ndaj Irlandës 1-0, dy kundërshtarë me të cilët “Dardanët” u përballën në kuadër të garave zyrtare.
Humbjet e vetme në këto 13 ndeshje kanë ardhur ndaj Rumanisë (0-3) në shtator të vitit 2024 dhe ndaj Turqisë (0-1) në mars të vitit 2026.
Ndërkohë, Kosova ka barazuar 0-0 me Slloveninë dhe 1-1 me Zvicrën.
Një tjetër e dhënë interesante është edhe diferenca e golave.
Në këto 13 takime, Kosova ka shënuar 23 gola, ndërsa ka pranuar vetëm 10, duke e mbyllur nëntë prej ndeshjeve me portën e paprekur.
Forma në shtëpi ka marrë edhe më shumë peshë pas fitores së fundit ndaj Irlandës.
Më 24 shtator, Kosova triumfoi 1-0 në “Fadil Vokrri”, ndërsa më pas mori barazim 0-0 në udhëtim ndaj Izraelit.
Këto shifra tregojnë se “Fadil Vokrri” është kthyer në një terren ku Kosova mund të përballet denjësisht edhe me kundërshtarë të fortë, ndërsa mbështetja e tifozëve vazhdon të jetë një prej armëve kryesore të përfaqësueses.
Me një bilanc prej 9 fitoreve, 2 barazimeve dhe vetëm 2 humbjeve, Kosova ka dëshmuar se në shtëpi është një ekip që vështirë se mposhtet. /Telegrafi/






