Një grua nga Varazhdini i Kroacisë është gjobitur me 1,327 euro, pasi kishte pastruar banesa pa e regjistruar aktivitetin e saj. Për punën e kryer, ajo kishte fituar gjithsej vetëm 50 euro.
Sipas vendimit të Gjykatës Komunale në Varazhdin, gruaja kishte ofruar shërbime pastrimi për persona të ndryshëm nga mesi i majit deri më 8 korrik. Ajo nuk e kishte regjistruar aktivitetin dhe nuk e kishte deklaruar punën tek autoritetet tatimore.

Gjykata e konsideroi veprimtarinë si punë të paregjistruar, pavarësisht se të ardhurat e saj kishin qenë vetëm 50 euro. Shkelja ishte konstatuar gjatë një kontrolli të Inspektoratit Shtetëror, raporton index.hr.
Përveç gjobës prej 1,327.23 eurosh, gruas iu konfiskuan edhe 50 eurot që kishte fituar nga pastrimi i banesave. Ajo duhet të paguajë gjithashtu edhe 20 euro për shpenzimet e procedurës.
Si rrethanë lehtësuese, gjykata mori parasysh faktin se ajo nuk ishte dënuar më parë për kundërvajtje. Ligji parashikon gjobë nga 1,327.23 deri në 2,654.46 euro për këtë shkelje.
Gruaja duhet ta paguajë gjobën brenda 60 ditësh. Megjithatë, nëse brenda këtij afati paguan dy të tretat e shumës, përkatësisht 884.82 euro, gjoba do të konsiderohet e paguar plotësisht. /Telegrafi/





