Policia në Kempten të Gjermanisë ka nisur hetimet ndaj tre adoleshentëve, të dyshuar për vjedhjen e dy skuterëve elektrikë pranë një shkolle. Në mesin e të dyshuarve ndodhet edhe një 15-vjeçar me shtetësi kosovare.
Rasti është raportuar të martën, më 29 shtator, në Reichlinstraße të Kemptenit. Dy skuterët elektrikë dyshohet se janë vjedhur nga përpara një shkolle, brenda një intervali prej rreth një ore, raporton Kreisbote.de.

Pas vjedhjes, pronarët kanë përdorur një aplikacion gjurmimi për të përcaktuar vendndodhjen e mjeteve dhe më pas kanë njoftuar policinë. Së bashku me një patrullë policore, ata kanë shkuar në lokacionin e treguar nga sistemi i gjurmimit, transmeton Telegrafi.
Në vendngjarje janë gjetur tre adoleshentë: një 16-vjeçar gjermano-italian, një 15-vjeçar kosovar dhe një 14-vjeçar italian. Sipas raportit të policisë, të tre dyshohet se po i çmontonin skuterët elektrikë duke përdorur mjete pune.
Policia ka sekuestruar dy skuterët dhe më pas ua ka kthyer pronarëve. Në kuadër të hetimeve, zyrtarët policorë kanë konfiskuar edhe telefonat celularë të adoleshentëve.
Stacioni Policor i Kemptenit po vazhdon hetimet ndaj tre të miturve nën dyshimin për vjedhje./Telegrafi/





