Sipas informacioneve nga versioni beta i WhatsApp-it, kompania aktualisht po eksperimenton me një dizajn të ri të shiritit të navigimit.
Versionet e paraqitura janë ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe pothuajse me siguri nuk përfaqësojnë pamjen përfundimtare.
Kjo vërehet edhe nga fakti se butoni i Meta AI shfaqet në dy pozicione të ndryshme në pamjet e publikuara, çka sugjeron se WhatsApp ende po teston vendosjen përfundimtare të tij.

Megjithatë, një gjë duket mjaft e sigurt: Meta AI mund të bëhet pjesë e vetë shiritit të navigimit, në vend që të jetë një buton lundrues mbi butonin për krijimin e një mesazhi të ri.
Përveç pozicionit të Meta AI, WhatsApp po teston edhe ndryshime vizuale në vetë shiritin e navigimit, raporton GSMArena.
Shiriti i ri ka një formë më ovale dhe është disi më transparent, duke i ngjarë dizajnit që WhatsApp tashmë përdor në versionin për iOS. Megjithatë, versioni për Android nuk do të jetë plotësisht transparent.
Pamja e re pritet të përshtatet edhe për përdoruesit që përdorin modalitetin e errët.
Ky ridizajnim i hershëm është vërejtur në versionin beta 2.26.38.10 të WhatsApp-it për Android, i cili aktualisht është i disponueshëm për pjesëmarrësit në programin beta.
Megjithatë, zhvillimi është ende në fazat e hershme. Kjo do të thotë se WhatsApp mund të ndryshojë elemente të caktuara para se dizajni i ri të bëhet i disponueshëm për një numër më të madh përdoruesish. Deri në lansimin zyrtar mund të kalojnë edhe disa javë. /Telegrafi/





