Bllokimi i rrugëve të eksportit të Ukrainës në Detin e Zi po bëhet “kritik”, me pasoja potencialisht të mëdha për çmimet globale të ushqimit, deklaroi për “Europe Today” ministri i Politikave Agrare dhe Ushqimit i Ukrainës, Taras Vysotskyi.
“Tashmë shohim se, mesatarisht, çmimet e grurit janë rritur me 25 për qind”, ka thënë ministri Vysotskyi.
Dhe sipas tij, “nëse e shumëzojmë këtë me konsumin e përgjithshëm të grurit dhe produkteve ushqimore të bëra nga gruri, brenda një viti, kjo mund të nënkuptojë deri në 60 miliardë dollarë (rreth 53 miliardë euro) kosto shtesë për konsumatorët në mbarë botën”.
Rusia së fundmi ka intensifikuar sulmet ndaj anijeve dhe infrastrukturës ukrainase në Detin e Zi, prej të cilave Kievi varet për eksportin e rreth 90% të produkteve të tij bujqësore.
Gjithashtu, janë shtuar sulmet ndaj objekteve të ruajtjes së produkteve brenda Ukrainës.
Vysotskyi i tha Euronews-it se Kievi po bën “progres” në sigurimin e dërgimit të prodhimeve ukrainase në treg, përfshirë këtu edhe përmes të ashtuquajturave “korridore solidariteti”, të krijuara nga BE-ja për të ofruar rrugë alternative transporti.
I pyetur për mundësinë e një marrëveshjeje të negociuar me Rusinë përmes partnerëve ndërkombëtarë të Ukrainës, ministri Vysotskyi tha: “Ne jemi të gatshëm të krijojmë kushte sigurie në Detin e Zi për të gjitha mallrat civile, përfshirë produktet bujqësore ukrainase. Jemi të hapur për këtë”.
Ndërsa pranoi se po zhvillohen negociata me partnerët, Vysotskyi shpjegoi se Ukraina nuk mund t’i besojë “kurrë” angazhimit të Rusisë për një moratorium të mundshëm.
“Realiteti është se ne nuk mund t’i besojmë kurrë asaj që do të ndodhë nesër, apo pas nënshkrimit të çfarëdo memorandumi apo marrëveshjeje”, ka thënë ndër tjerash ministri. /Telegrafi/






