Një 71-vjeçar, Douglas Stewart Carter, është liruar nga burgu pas dekadash të kaluara “në radhë për vdekje” në Utah, SHBA.
Siç vënë në pah mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Carter ishte dënuar për vrasjen e Eva Olesen në vitin 1985, por gjithmonë ka deklaruar se është i pafajshëm.
Dhe së fundmi, Gjykata e Lartë e Utah urdhëroi një gjyq të ri, duke përmendur edhe keqpërdorime nga hetuesit gjatë procesit fillestar.
Siç theksohet më tej, kjo pasi që analizat e reja të ADN-së nuk e lidhin Carterin me gjakun e gjetur në dorezën e një dere dhe as me materialin gjenetik të marrë nga thika e përdorur në krim.
Dy dëshmitarë që kishin deklaruar se Carter ishte mburrur për vrasjen më vonë i tërhoqën dëshmitë e tyre.
Carter ka thënë se rrëfimi i tij i nënshkruar ishte dhënë nën presion dhe kërcënime nga policia.
Prokuroria ka hequr dorë nga kërkesa për dënim me vdekje dhe po rishqyrton provat e mbetura në këtë çështje.
Ndërkohë, Carter do të qëndrojë i lirë me kusht, do të mbajë monitorim GPS dhe do të presë zhvillimet për gjyqin e ri. /Telegrafi/






