Trepça dhe Bashkimi për trofeun e parë të sezonit – finalja e Superkupës premton spektakël

Sport

Trepça dhe Bashkimi përballen të martën mbrëma për trofeun e Superkupës së Kosovës, në një duel ku të dyja skuadrat vijnë me objektiva të ndryshëm. “Xehetarët” kanë qenë dominues në basketbollin kosovar në vitet e fundit, duke fituar pesë Kupa të Kosovës radhazi, tri tituj kampioni radhazi dhe dy Superkupat e fundit. Megjithatë, starti i […]

Madhësia e shkronjave

Trepça dhe Bashkimi përballen të martën mbrëma për trofeun e Superkupës së Kosovës, në një duel ku të dyja skuadrat vijnë me objektiva të ndryshëm.

“Xehetarët” kanë qenë dominues në basketbollin kosovar në vitet e fundit, duke fituar pesë Kupa të Kosovës radhazi, tri tituj kampioni radhazi dhe dy Superkupat e fundit. Megjithatë, starti i këtij edicioni nuk ka qenë ideal për skuadrën mitrovicase.

Trepça e nisi kampionatin me një fitore të vështirë 106:101 ndaj Rahovecit 029 në udhëtim, ndërsa në xhiron e dytë pësoi humbje 87:81 nga Peja në “Minatori”. Në këtë ndeshje munguan Mikaile Tmushiqi dhe Kevin Bracy-Davis, ndërsa trajneri Adis Beqiragiq ka theksuar nevojën për përforcim në pozitën katër.

Në anën tjetër, Bashkimi ka pasur një start shumë më të mirë. Prizrenasit fituan 96:60 ndaj Golden Eagle Yllit dhe më pas 100:84 ndaj Rahovecit 029, në palestrën “Mizahir Isma”, aty ku do të zhvillohet edhe finalja e Superkupës.

Bashkimi ka humbur disa finale ndaj Trepçës në vitet e fundit dhe tash synon që ta shfrytëzojë momentin për t’i dhënë fund kësaj serie.

Përballë do të ketë një Trepçë që kërkon reagimin dhe trofeun e parë të sezonit.

Finalja zhvillohet sot ( e martë) nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Ndeshja ishte planifikuar të luhej më 15 shtator, por u shty nga Federata e Basketbollit e Kosovës./Telegrafi/